LA LIGA
Zidane pa tre mesfushorë
20 April, 2021 @19:59
Vazhdojnë problemet me lëndime te Real Madridi. Kësaj here problemet janë shtuar në mesfushë.
Siç është raportuar nga Real Madrid në një deklaratë, Fede Valverde, ka qenë në izolim që nga 17 Prilli, pasi ka qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me një person që ka rezultuar pozitiv për Covid-19, megjithëse lojtari ka rezultuar negativ në të gjitha testet që janë kryer.
Uruguajani mungoi në barazimin e fundit të madrilenëve me Getafen (0:0), pritet të mungojë edhe në ndeshjen e nesërme kundër Cadiz.
Kroos ishte i ftuar për ndeshjen e fundit por, nuk luajti asnjë minutë të vetme.
Ai ka pasur ndeshje mjaft intensive dhe është dashur të pushojë e njejtë pritet të ndodh edhe në ndeshjen që zhvillohet nesër, pasi ai nuk u stërvit fare sot me ekipin.
Modric duhej të linte trajnimin herët sot. Mesfushori mund të pushojë duke menduar për Ligën e Kampionëve.
Ai ka humbur vetëm dy ndeshje këtë sezon, kundër Granada më 23 dhjetor dhe ndeshjen e Kupës kundër Alcoyano në janar. Luka ka luajtur të gjitha ndeshjet e tjera: 19 startime në 20 ndeshjet e fundit.
Me këtë humbje të mundshme, Zidane do të ketë vetëm dy mesfushorë të ekipit të parë, Casemiro dhe Isco.
Ndeshja në mes Cadiz dhe Real Madrid zhvillohet nesër (21 prill), ora 22:00.