GODITJE PER KAMPIONIN
Lideri humb golashënuesin më të mirë!
20 April, 2021 @13:27
Lideri dhe kampioni aktual i Superligës së Kosovës në futboll, Drita, para pak çastesh ka bërë të ditur se ka humbur golashënuesin më të mirë të skuadrës për pjesën e mbetur të stinorit.
Kastriot Rexha me lëndimin që ka pasur prej muajit shkurt në këmbën e majtë, nuk ka arritur të ndihmojë ekipin.
Ndërsa përpjekjet për t’iu rikthyer fushave me tretmane, nuk kryen punë. Kështu, Drita ka bërë të ditur se lojtari i tyre tash duhet t’i nënshtrohet operimit — që praktikisht ia mbyll sezonin lojtarit.
“Pas kontrolleve të fundit rezultatet kanë treguar që Rexha të premten duhet t’i nënshtrohet operimit për ta kaluar shqetësimin dhe praktikisht ky sezon është mbyllur për të,” ka bërë të ditur njoftimi i Dritës.
“Kjo do të jetë një mungesë e madhe për klubin tonë ku dihet që jemi në një fazë të rëndësishme të kampionatit dhe mungesa e Rexhës do të jetë evidente,” ka shkruar më tej njoftimi.
Rexha përndryshe është golashënuesi më i mirë i ekipit të kampionit dhe liderit aktual, me 8 gola të shënuara dhe 2 asistime.