PAS BARAZIMIT
James Milner: Nuk më pëlqen, të gjithë e kuptuam nga mediat
19 April, 2021 @23:24
Mesfushori i palodhshëm i Liverpoolit, James Milner, menjëherë pas ndeshjes ndaj Leedsit ka dhënë deklaratë për Sky, duke bërë të ditur se asnjë nga lojtarët e ekipit të tij nuk e ka ditur çështjen e Superligës Evropiane.
Bile, ai ka thënë se sikurse e gjithë bota, edhe ata e kanë mësuar këtë gjë nga mediat, mbrëmë vonë. Derisa ka shtuar se nuk kanë pasur shumë kohë për të diskutuar me bashkëlojtarë situatën e re, ai ka thënë se koncetrimi i tyre për ndeshje ka qenë maksimal, pasi që janë futbollistë profesionistë.
Ndërsa sa i përket idesë së Superligës Evropiane, ai ka qenë i qartë.
“Nuk e di, nuk më pëlqen. Nuk jam për gjëra të tilla, jam i mendimit me atë që po thonë ish-bashkëlojtarët dhe analistët nëpër media,” ka thënë Milner pas ndeshjes.
”Është vështirë. Veç ardhja sot në Leeds derisa tifozët e tyre tregonin ndjenjat ishte e vështirë. Si lojtarë nuk kemi çka të themi shumë, gjithçka duket sikur e padrejtë. E tëra që ne mund të bëjmë është të mundohemi të fitojmë ndeshjet,” ka thënë në fund ai.