NGA EMISIONI
Perez: Superliga Evropiane nuk është e mbyllur! Ne po e shpëtojmë futbollin
20 April, 2021 @0:29
Kryetari i Real Madridit është në intervistë direkte te Chiringuito TV sonte dhe në mes tjerash ka treguar gjendjen e keqe financiare të ekipeve të mëdha të futbollit evropian.
“Pandemia vetëm se ka shpejtuar procesin. Ne po e shpëtojmë futbollin. Kriza është e madhe, ndërsa interesimi për Ligën e Kampionëve ka rënë,” ka thënë ndër të tjera Florentino Perez kryetar i madrilenëve dhe i Superligës Evropiane.
Ndërsa sa i përket përjashtimit të ekipit nga Champions League dhe La Liga, Perez ka qenë i qartë.
“Real Madrid nuk do të përjashtohet as nga La Liga as nga Champions League,” ka thënë me siguri të plotë ai.
“Përndryshe Superliga nuk është e mbyllur si po thuhet. Ajo është e hapur dhe secili mund të ketë qasje aty. Futbolli duhet të evolvojë. Ju duhet të bëni të ardhura profitabile duke bërë ndeshje më garuese dhe më interesante,” ka shtuar ndër të tjera 74-vjeçari.
“Ne do të bëjmë spektaklin më të madh në botë. Priten 4 miliardë shikues të ndjekin ndeshjet tona,” - ka thënë Perez, që synon të marteve dhe të mërkurave nga 5 ndeshje minimalisht të Superligës Evropiane të zhvillohen, për të kapur gjysmën e popullsisë së botës pranë ekraneve televizive.
Sa i përket ftesave tjera, ai ka thënë:
“Paris St Germainin ende nuk e kemi ftuar. Ndërsa me ekipet gjermane ende s’kemi vënë kontakt.”
Krijimi i Superligës Evropiane ka ngjallë kundërshtime të mëdha nga UEFA-ja dhe skuadrat tjera pjesëmarrëse në ligat kombëtare. Analistë, ish-futbollistë dhe trajnerë bashkë me tifozë kanë reaguar se paraja po ndërhyn në shpritin garues të futbollit dhe më gjerë, në historitë e klubeve.
Në anën tjetër, skuadrat themeluese, të 12-tat duket se janë të vendosura që të bëjnë këtë hap, duke pasur parasysh garancën prej 350 milionë eurove që në start të garës nga magnati JP Morgan.