NGA KONFERENCA
3 qëllimet e Challandesit ndaj Danimarkës
18 March, 2019 @12:01
Selektori i Kosovës, Bernard Challandes, në konferencën për shtyp para ndeshjes ndaj Danimarkës ka bërë të ditur tre qëllimet kryesore të tija që i dëshiron nga kjo ndeshje.
Ai ka theksuar se tashmë duhet harruar ajo çka ndodhi në Ligë të Kombeve dhe kjo është një garë krejt tjetër. Danimarka është e dhjeta në renditjen botërore të FIFA-së.
“Ka qenë nder të pranohet oferta e Danimarkës për miqësore dhe kjo është tepër mirë pasi që do të shikojmë veten se ku gjindemi në këto lloje të garave,” ka thënë Challandes, duke përkujtuar se tashmë kundërshtarët e Kosovës janë të Ligës A dhe B të Kombeve.
Sa i përket qëllimeve nga kjo miqësore Challandes ka theksuar të trija pikat.
“Testimi i mbrojtjes së Kosovës ndaj ekipeve të klasit botëror. Si të mbrohemi bashkë dhe si të dalim nga mbrojtja më tutje,” ka thënë selektori zviceran me përvojë.
“Si pikë e dytë e kam synim posedimin. Lehtë ka qenë ndaj Maltës të kesh posedim të madh të topit, pasi që ata kryesisht mbrohen. Tash është tjetër gjë. Danimarka nuk mbrohet. Danimarka sulmon dhe si do të luajmë ne pa top, e kur ta marrim atë si ta mbajmë,” shtoi ai.
ORARI I NDESHJEVE EURO 2020 dhe GRUPET KUALIFIKUESE
Ndërkaq si pikë të fundit ka synimet e tij e përmendi sulmin. Challandes shpreson që rastet e Kosovës të jenë të frytshme në këto ndeshje.
“Qëllimi i tretë është sulmi. Si do të dalim në sulm dhe si të krijojmë ndaj ekipeve të nivelit të lartë. Gjithashtu, këtu nuk do të ketë mundësi që t’i kemi mbi 10 raste sikurse në ndeshjet e Ligës së Kombeve, por numri i rasteve mund të shkojë në 1 ose 2. E ato, duhet të konkretizohen. Mos harroni, ne ndaj Maltës kemi pasur mbi 10 raste, kemi shënuar vetëm një gol dhe shpejt ka ardhur barazimi në 1-1…,” ka përkujtuar ndër të tjera Challandes, duke shpjeguar qëllimet që rrjedhin edhe nga brengat e tij nga ndeshjet e Ligës së Kombeve.
Ndeshja ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës luhet të enjten më 21 mars me fillim në ora 19:00 në stadiumin Fadil Vokrri të Prishtinës.
Danimarka është përfaqësuesja më e lartë e ranguar në botë që vjen si mysafire në Kosovë. Danezët janë të dhjetit në renditjen botërore të FIFA-së.