GJYSMËFINALJA E KUPËS
4 gjysmëfinalistët, shorti dhe rregullat
18 March, 2021 @16:18
Me ndeshjet e përfunduara sot, tashmë Kupa e Kosovës ka të përcaktuara katër skuadrat që do të luftojnë për trofeun e dytë më të rëndësishëm në vend.
Dukagjini, Istogu, Llapi e Prishtina - janë katër skuadrat që kanë siguruar gjysmëfinalen e Kupës dhe do të futen në short, që pritet të mbahet javën tjetër në zyret e FFK-së.
Deri tash, të gjitha raundet e Kupës së Kosovës janë zhvilluar me një ndeshje, vendasin e së cilës e ka përcaktuar shorti - dhe fituesi i saj ka shkuar tutje.
Ndërsa në gjysmëfinale të Kupës ndërrojnë rrethanat. Aty luhen dy ndeshje, në sistemin vajtje-ardhje dhe ekipi që del me rezultat më të mirë nga të dyja ndeshjet, siguron finalen e Kupës.
Në gjysmëfinale, shorti nuk ka rregull të paracaktuar të ndarjes së skuadrave, prandaj mund të ndeshet secila me secilën, ndërsa është karakteristikë e këtij stinori në garat e Kupës që aty te katërshja më e mirë të arrijnë dy ekipet e Ligës së Parë A të Kosovës, Dukagjini dhe Istogu, të cilat bashkë me Prishtinën e Llapin do të kërkojnë trofeun.
E trofeu është jashtëzakonisht i rëndësishëm - sepse siguron garat evropiane dhe njëkohësisht një shumë të mirë rreth gjysmë-milionë euroshe minimalisht në arkën e klubit nga UEFA-ja.
Duelet gjysmëfinale janë paraparë të zhvillohen përgjatë muajit prill, ndërsa datat do të bëhen të ditura pas shortit.
Rrugëtimi deri në gjysmëfinale të Kupës