KOLUMNE
5 për fundjavë!
Shkruan: G.P
15 October, 2021 @17:00
Pas pushimit të kombëtareve, të parafundit për këtë vit kalendarik, rikthehemi te futbolli i klubeve.
Si zakonisht, ndeshje të mira ka plot, e kësaj radhe i kemi zgjedhur dy për të shtunën, dy për të dielën, e një për të hënën.
1. Leicester - Manchester United (e shtunë, 16:00)
Periudha e ndeshjeve të vështira për United fillon këtë fundjavë ndaj Leicesterit. United përballet radhazi me Leicesterin, Atalantën, Liverpoolin, Tottenhamin, përsëri Atalantën, e më pas Manchester Cityn. Për t’ia shtuar kokëdhimbjet Solskajerit, në shumicën e këtyre ndeshjeve do të mungojë Raphael Varane, për ta lënë mbrojtjen në duart e dyshes Harry Maguire - Victor Lindelof.
Harry Maguire stërvitje të plotë pas një kohe të gjatë ka bërë sot (e premte) dhe mund të jetë plotësisht i gatshëm për Atalantën mesjavën e ardhshme, e nëse rrezikon, ndoshta luan edhe ndaj Leicesterit të shtunën. Por, më shumë ka gjasa të startojë Bailly bashkë me Lindelof.
Zërat për shkarkimin e Solskjaerit dëgjohen sa herë që United nuk fiton, por klubi nuk duket se e ka në plan ta bëjë këtë gjë, të paktën jo për momentin.
Të shtunën ndaj Leicesterit, Unitedin e pret një test mjaft i rëndësishëm. Leicesteri nuk e ka filluar aq mirë sezonin dhe po ka probleme në mbrojtje, sidomos për shkak të formës së dobët të Soyuncus dhe lëndimëve të Fofanës, Evansit e Justinit, por megjithatë mbetet një skuadër e mirë shumë lehtë që mund t’i shkaktojë probleme Unitedit. Vardy do të jetë një problem për dyshen Bailly - Lindelof dhe nëse mesfusha defansive e United luan dobët siç bën zakonisht, faza ofansive e Leicesterit mund ta ketë një “field day”.
Si shumë herë gjatë sezoneve të fundit, United do të shpresojë në ditë të mirë të fazës ofansive, që ta mbulojë dështimin e prapavijës, në mënyrë që të arkëtohen pikët e plota.
2. Lazio - Inter (e shtunë, 18:00)
Në Itali të shtunën mes vete përballen Lazio e Inter. Lazio në këtë takim vjen pas humbjes turpëruese 3-0 nga Bologna, humbje ku mungoi Immobile dhe mungesa e tij ra në sy dukshëm, e Interi vjen pas fitores me përmbysje 1-2 ndaj Sassuolos.
Ndër të tjera, kjo ndeshje vë përballë edhe Simone Inzaghin ndaj skuadrës që e drejtoi nga viti 2016 deri sezonin e kaluar. Inzaghi aty bëri punë mjaft të mirë, sidomos dy viteve të fundit.
Nëse Immobile nuk starton as këtë ndeshje, pasi që veç sa është rikuperuar nga lëndimi në kofshë, startues mund ta shohim Vedat Muriqin, gjë që shpresojmë të ndodhë.
Në 5 përballjet e fundit mes këtyre dy skuadrave, Interi 3 herë ka dështuar ta mposhtë Lazion, e të lehtë nuk do ta ketë as këtë herë. Do të jetë një ndeshje e mirë!
3. Everton - West Ham United (e diel, 15:00)
Dy skuadra angleze me traditë që po bëjnë relativisht mirë këtë sezon. Evertoni me një trajner kualitativ si Benitezi dhe West Hami me Moyesin që ka krijuar një grup mjaft të mirë të lojtarëve, këtë të diel do të përballen mes vete në Merseyside.
Ndaj ish-ekipt të tij, David Moyes mund të jetë pa Coufal, paraqitja e të cilit është në dyshim, ndërkohë që te Evertoni lista e të lënduarve vazhdon të jetë e gjatë.
Sikur ta blente Jesse Lingardin gjatë verës, skuadra e West Hamit do të ishte edhe më e fortë këtë sezon. Loja me kundërsulme, lojë tipike e West Hamit, është loja në të cilën Lingard shkëlqen dhe transferimi i tij do ta shtonte dukshëm kualitetitn te kjo skuadër. Ndoshta do të ndodhë verën e ardhshme…
Do të jetë prej atyre ndeshjeve që ose janë shumë të mira, ose shumë të bajatshme, por ia vlen t’ia japim një shancë.
4. Juventus - Roma (e diel, 20:45)
Jose Mourinho përballë Juventusit, gjithmonë ndeshje për t’u shikuar. Momentalisht Roma ndodhet para Juventusit në renditje, por ky i fundit tashmë ka renditur 3 fitore radhazi në ligë dhe dalëngadalë po e krijon momentumin e tij.
Nëse flasim për ndeshjet e fundit mes tyre, në 2 nga 3 përballjet e fundit mes tyre Juventusi ka dështuar ta mposhtë Romën, e nëse luan siç ka luajtur në fillim të këtij sezoni, nuk do ta mposhtë as kësaj radhe.
Asnjëra prej tyre nuk besoj se do ta fitojnë titullin në fund, por të dyja do të jenë në mesin e ekipeve që do të luftojnë për top-katërshe.
Sa i përket fotos së mëposhtme, është nga hera e fundit kur Mourinho drejtoi ekip në “Juventus Stadium”. Atë ndeshje, në nëntor të vitit 2018, Mourinho me Unitedin e fitonin 1-2 ndaj Juventusit me gola në çastet e fundit.
5. Arsenal - Crystal Palace (e hënë, 21:00)
Mesjava e ardhshme ka ndeshje nga garat evropiane, por ndeshje të mirë ka edhe dita e hënë. Një prej derbive të Londrës luhet në “Emirates” mes Arsenalit dhe Crystal Palacet këtë të hënë, e për më tepër, Patrick Vieira do ta drejtojë Crystalin ndaj skuadrës ku ai e kaloi shumicën e karrierës si lojtar, Arsenalit.
Kisha parashikuar që Vieira do të jetë trajneri i parë i shkarkuar në Premier League sivjet, por kisha harruar që pjesë e Premier Leagues sivjet është Watfordi, skuadër që shkarkon trajnerë “çdo të tretin muaj”.
Përkundrazi, Vieira dhe Crystal Palace kanë nisur sezonin mirë dhe ecurinë mund ta vazhdojnë me ndonjë rezultat pozitiv të hënën ndaj Arsenalit. Sezoneve të fundit, Crystal ka luajtur më mirë si mysafir sesa në shtëpi dhe do të shohim se a do të vazhdojë e njëjta gjë edhe me trajnerin e ri.
Nuk kemi shumë zgjidhje për të hënën mbrëma dhe kjo ndeshje ia vlen të shikohet.