5 PËR VIKEND
5-shja e fundit e stinorit
Shkruan: LUAN MORINA
20 May, 2017 @12:57
Janë dy ndeshje në të njëjtën kohë në Bundesligë. Në Spanjë përcaktohet kampioni, në Angli pozita e katërt, në Itali dueli i të rënëve. Edhe një sezon me 5shen mbyllet këtu. Vera është e gjatë e me plot futboll – ICC, EuroU21, Kupa e Botës U20, Kupa e Konfederatave, edhe njëqind lojtarë të mbipaguar që ndërrojnë ambientin derisa u mbushin xhepat avokatëve/agjentëve të tyre. E paçi një verë të lehtë, e sa më pak stresuese me krejt ato që shkruajnë mediumet. Shumica shkruajnë vetëm thashetheme me VIDEO. Këtu tek Borozani i gjeni vetëm lajmet serioze.
1. Hamburger SV – Wolfsburg (e shtunë, ora 3e30)
Ndoshta është koha e fundit që Hamburger SV të largohet nga Bundesliga. Janë në një situatë komfore tash e sa sezone ku kënaqen me mbijetesë. Kryesisht me huazime dhe lojtarë tepricë të ekipeve tjera provojnë të mbijetojnë, që është një ofendim edhe ndaj vet historisë dhe emrit të klubit. Ndoshta një ‘fillim i ri’ do të ishte më i duhur për ta. Por, për të arritur këtë duhet të bien në Bundesliga 2 një herë e pastaj të rishqyrtojnë.
Hiq më mirë s’janë edhe ujqit, sidomos pas sezonit në Evropë. Problemi kryesor ka qenë në relacionin menaxhment-trajner. Lojtarët që kanë blerë si talente kryesisht kanë qëndruar në bankën rezervë, e në bankën rezervë akoma nuk duken të kenë një zgjidhje afatgjate. Si do që të jetë, ndeshja do të duhej të ishte e nxehtë.
2. Dortmund – Bremen (e shtunë, ora 3e30)
Duel në relacionin menaxhment-trajner ka edhe tek Dortmund. Edhe këtej do të rreshtohesha kah menaxhmenti pasi Teuchel ka bërë më pak se që ka kapacitet, sidomos në Bundesligë. Besoj që ka mundur të ishte më lart se ku janë – duke luftuar për pozitën e katërt.
Në të njëjtën kohë, Bremen ka qenë njëra ndër ekipet më të mira në Evropë këtë pranverë. Kuptohet që javëve të fundit janë lodhur paksa, por kjo është rrjedhojë e ekipit jo shumë të gjerë. Evropa ndoshta s’do të ishte gjëja më e mirë që mund tu ndodhte.
3. Arsenal – Everton (e diel, ora 4)
Derisa gjithçka varet nga ndeshja në ‘Anfield’, Arsenali do të duhet të jap maksimumin ndaj Evertonit me shpresën që të kthehen në Ligën e Kampionëve përsëri. Por, më e mira për tifozët e Arsenal do të ishte mbetja jashtë Ligës së Kampionëve. Kualifikimi në këtë garë u ka shkuar për shtati vetëm Stan Kroenkes dhe Arsene Wenger. I pari ka vazhduar të ketë bilanc pozitiv, i dyti të krenohet për kontinuitetin. Ka qenë një ‘sukses’ i vazhdueshëm, por i kotë. Sukses që është shpartalluar në fazën e parë eliminatore ose nga Bayerni ose nga Barcelona.
Sidoqoftë, mbetet në duart e Liverpoolit të vendos për fatin e Arsenalit dhe sukseset afatgjate. Një ‘fillim i ri’ do të ishte i mirëseardhur për topçinjtë. Por, fillimi i ri s’mund të nis me Wengerin!
4. Malaga – Real Madrid (e diel, ora 8)
Janë pak ekipe që ia dalin tu prishin punët gjigantëve spanjoll. Malaga është njëra ndër to. E kanë adet të nxjerrin pikë ndaj ekipeve të mëdha, dhe Reali e ka adet të humb tituj në xhirot e fundit. kësaj radhe do të duhej të ishte ndryshe.
Kanë ekip të dytë më të mirë se 17 ekipe tjera në La Liga, e kanë një Cristiano Ronaldo në formë. Së paku lufta e kampionit në Spanjë do të jetë në sahan deri në javën e fundit.
5. Lazio – Inter (e diel, ora 15n9)
Është dueli i dy ekipeve që kanë ‘ndërruar’ rolet. Lazio do të duhej të vazhdonte ciklin e dështimeve me lojtarë të dorës së dytë, Interi do të duhej të luftonte për titull. Katër trajnerë për një sezon, të kujton jo Suningun, por Zamparinin në krye të ekipit. Duken ekip me shumë para dhe pa asnjë ide. Duhet të jenë shembulli më i mirë për të mësuar rivalët e tyre të qytetit. Shpenzime e vendime të mençura. Megjithatë nëse nisin sezonin me Montellën, do të mbeten sikur ky Inter verën e ardhshme.
Lazio ka lojtarë të talentuar dhe një trajner që u ka dhënë liri në fushë. Janë ekip që ka befasuar për të mirë dhe kanë merituar edhe Ligën e Kampionëve. Megjithatë derisa këto dy ekipe mbeten kaq larg treshes së parë, Serie A nuk mund të konsiderohet e ringjallur. Akoma është në kujdes intenziv.