TREPÇA'89 3-1 DRITA
‘89shi me fitore të madhe para pushimit
1 December, 2019 @15:55
Trepça’89 me lojë të mirë të treguar sot në Riza Lushta, ka arritur të mposht njërin nga ekipet favorite për titull kampioni këtë stinor, Dritën, 3-1.
Mitrovicasit kanë ardhë shpejt në epërsi, pasi që një tentim i Izair Eminit të Dritës në minutën e shtatë shkoi huq.
Ka qenë Leart Emini (17’) që ka dhënë gol për epërsinë 1-0 të Trepçës’89. Ai ka shfrytëzuar më së miri një top të ardhur në zonë, prej ku ka realizuar.
E derisa Drita tentonte të organizonte lojën për tu kthyer në ndeshje, mitrovicasit janë treguar ‘vrasës’ në anën tjetër, kur shutin e Muharrem Jasharit e devijon pa dashje Ardian Cuculi i Dritës për 2-0 (45’) në të mirë të vendasve.
Jashari bëhet protagonist edhe në nismë të pjesës së dytë. Ai shënoi një gol të bukur në minutën e 53-të të ndeshjes për 3-0 dhe tashmë, dilema për fituesin nuk kishte. Ekipi i Shpëtim Idrizit po shkonte drejt fitores.
Ndërsa e tëra që arriti Drita e drejtuar nga Ardian Nuhiu ka qenë goli i nderit, shënuar nga zëvendësuesi brazilian, Gilberto Fortunato, që tundi rrjetën e Ardit Hysenit (63’) për përfundimtaren 3-1.
Pikët kanë qenë jashtëzakonisht të rëndësishme për Trepçën’89, që ka mbajtur distancën 4 pikëshe ndaj ekipeve të zonës së rrezikshme të klasifikimit. Kurse gjilanasit kryejnë pjesën vjeshtore të stinorit në pozitë të tretë.