KOREJA JUGORE
A do të kenë fat koreanët?
18 June, 2018 @13:52
Kamuflazhi
Domethënë Koreja Jugore po përdor numra të ndryshëm në një lojtarë për të hutuar skautët e ekipeve tjera?! A është kjo racizëm, apo vetëm përqafim i llojllojshmërisë së qenieve njerëzore?
Janë pesë lojtarë korean që luajnë në kampionatet evropiane, derisa të tjerët janë krejt të panjohur për shumicën prej nesh, përjashto fansat e ligës koreane. Kjo ligë është më e suksesshmja në kontinentin e Azisë nëse shohim listën e fituesve të Ligës së Kampionëve të Azisë. Koreja Jugore ka 11 tituj, më shumë se që kanë dy vendet vijuese në listën e kampionëve të kësaj lige, Japonia (6 tituj) dhe Arabia Saudite (4) tituj.
ORARI DHE TABELAT - RUSSIA 2018
Pohang Steelers nuk kanë fituar tituj që nga viti 2009, nga kur kanë rënë në një formë më të ndryshueshme. Seongham, Suwon, e Jeonbuk, emra të cilët më shumë mund t’i mbani në mend në bazë të lokacioneve të Kupës së Botës nga viti 2002, kanë fituar Ligën e Kampionëve të Azisë nga dy herë, një më pak se Pohang të cilët me tre tituj janë Reali i Azisë! Jeonbuk ka më së shumti lojtarë në këtë ekip të Koresë Jugore.
Byron Moreno
Përjashtimi i Tottit ishte vetëm një nga tri skandalet që do të bënte në ndeshjen e parë të rrethit të dytë në Kupën e Botës para 16 viteve. Ai do të përjashtonte Tottin për simulim, pasi kishte akorduar një penallti të dyshimtë për vendasit, e mbrojtur nga Buffon, dhe kishte anuluar një gol të artë të Damiano Tommasit për ofsajd. Koreja Jugore do të avanconte në çerekfinale me golin e artë të Ahn Jung-whan, tre minuta para fundit. Kjo do të përjashtonte nga ekipi i Perugias lojtarin korean.
2002
Në çerekfinale, në penallti, Koreja Jugore do të eliminonte Spanjën në penallti, para se të binin nga një gol i Michael Ballackut. Në ndeshjen për vendin e tretë, Hakan Sukur do të shënonte golin e parë në paraqitjen e dytë të Turqisë në Kupën e Botës, për fitoren 3-2 të turqve që do t’i linte koreanët pa medalje.
Koreja Jugore në grupe do të kualifikohej pas fitoreve 2-0 dhe 1-0 ndaj Polonisë e Portugalisë. Me SHBA-të do luanin baras, për të kaluar së bashku grupin D. Pozita e katërt ishte rezultati më i mirë i koreanëve në një Kupë të Botës.
Në dhjetë paraqitje kanë kaluar vetëm edhe një herë tjetër grupin, në Afrikën Jugore eliminoheshin nga dy golat e Luis Suarez. Në të tetë edicionet tjera do të përfundonin garat në grupe. Në 31 ndeshje kanë pesë fitore dhe 17 humbje.
Ki&Son
Dy nga lojtarët kryesorë të këtij ekipi, Lee Keun-ho dhe Kwon Chang-hoon mungojnë për shkak të lëndimit. Gjithçka mbetet në shpinën e Son Heung-min të Tottenhamit. Ai vjen pas një sezoni të shkëlqyeshëm me Tottenhamin.
Nga Premier League aty është edhe kapiteni Ki Sung-Yung, tani ish-lojtar i Swanseas, për të cilin kjo garë mund të jetë edhe intervistë për ekipet e radhës. Kolegu i Valon Berishës, Hwang Hee-chan mund të ndihmojë Sun në sulm, gjersa Koo Ja-cheol i Augsburgut, dhe Lee Seung-woo i Veronës, janë të fundit që mbyllin pesëshen evropian, me Koo me gjasë në rezervë.
Rusia 2018
Kalimi i grupeve mbetet mision i vështirë, sidomos duke marrë parasysh historinë. Me Suedinë është ndeshje për të fituar patjetër, pasi edhe Meksika me të cilët takohen më 23 qershor në ora 17, edhe Gjermania me të cilët mbyllin fazën e grupeve më 27 qershor në ora 16, janë konkurrentë më të fuqishëm.