SHIN TAE-YONG
Taktika jugkoreane, befasuese!
17 June, 2018 @22:50
Stërvitjet e jugkoreanëve mund të mos duken interesante për shumëkë. Mirëpo, gazetarët e caktuar kanë vërejtur se selektori i Koresë, Shin Tae-yong, ka ndërruar disa herë gjatë stërvitjes fanellat e lojtarëve.
E në konferencën për shtyp para ndeshjes së nesërme ndaj Suedisë, njëri nga gazetarët ka pyetur Tae-yongun pse e ka bërë këtë.
“Ne vendosim numra të tjerë në fanella të lojtarëve në stërvitje për të shkaktuar konfuzion te spiunët e kundërshtarëve tanë të grupit, në këtë rast Suedisë,” ka thënë selektori Shin Tae-yong.
“Kam dëgjuar se europianët nuk mund t’i dallojnë lojtarët aziatikë nga fytyra, por vetëm nga numrat ose flokët,” ka shpjeguar ai.
Dueli i Grupit F ndërmjet Suedisë dhe Koresë Jugore zhvillohet më 18 qershor dhe nis në ora 14:00.