SERBIA
Histori e dështimeve
Shkruan: LUAN MORINA
17 June, 2018 @13:00
Një histori jo për tu lavduar, me lojtarë premtues tash…
‘HISTORIA’
Si shkaktare kryesore e trazirave në njërin nga regjionet më të përgjakshme të Evropës, Serbia e sotme ka trashëgimi nga Kupa e Botës me katër emra të ndryshëm – Mbretëria e Jugosllavisë në vitin 1930, kur përfundonin të katërtit; si Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë, kur përsëri përfundonin të katërti në Kili, pas dy çerekfinaleve dhe grupeve në Brazil; si Republika Federative e Jugosllavisë, në Francë kur barazonin Gjermaninë në grupe; si Serbia dhe Mali i Zi në Gjermani kur ‘rreheshin’ nga Argjentina me 6-0; dhe si Serbia në Afrikën Jugore kur mposhtnin Gjermaninë, por eliminoheshin nga Australia në grupe!
TRAJNERI
Si shumica e federatave ballkanike të futbollit, edhe ajo e Serbisë është e përfshirë në mosmarrëveshje të brendshme, dhe manipulime nga jashtë. Në fund të prillit, gazeta Kurir fajësonte mafinë shqiptare për shfrytëzimin e kampionatit serb për shpëlarje parash. E menaxheri Fali Ramadani, vite më parë njihej si emri që me anë të trajnerit Sinisa Mihajlovic, përcaktonte ekipin startues të Serbisë, duke e shfrytëzuar kombëtaren serbe si revy për lojtarët nën menaxhimin e tij.
Në fund të tetorit kishin sjellë ish lojtarin e Partizanit, Mladen Krstajic për të udhëhequr ekipin, njëherë si trajner i përkohshëm, pastaj si i rregullt. Në Kupën e Botës, ai vjen me dy fitore në miqësore, ndaj Nigerisë e Bolivisë, dhe dy humbje, ndaj Kilit e Marokut. Zakonisht përdorë formacionin 4-2-3-1, duke kaluar nga formacioni i Muslin i cili përdorte 5-4-1 e 3-4-3 gjatë kualifikimeve për Rusi.
MESFUSHA
Me një mesfushë që përfshin dy emrat më të njohur në futbollin e sotëm – Nemanja Matic e Sergej Milinkovic-Savic, problemi do të duhej të shpërqendrohej në mbrojtje.
Stojkovic është përzgjedhja e parë ndaj portierit të Eibarit, Marko Dmitrovic, e kampionit të botës për të rinj në vitin 2015, Predrag Rajkovic. Nga kjo gjeneratë e artë e Serbisë, e cila në finale në vitin 2015 mposhte Brazilin, në këtë Kupë të Botës janë edhe Milos Veljkovic i Werderit dhe Sergej Milinkovic-Savic. Por, në mbrojtje mungon Nastasic i Schalkes, duke kthyer ish-lojtarin e Chelseat, Branislav Ivanovic në krahë të Spajicit, apo Tosicit, të njohur për ne. Në krahun e majtë është kapiteni i ekipit, lojtari i Romës, Aleksandar Kolarov. Në krahun tjetër është një veteran tjetër, 34 vjeçari i Villarrealit, Antonio Rukavina.
Me Maticin në mesfushën qendrore vend zë shpesh Luka Milivojevic i Crystal Palace. Përkrah Sergejit, në njërin krahë është Dusan Tadic i Southampton, e nën tjetrin Adem Ljajic i Torinos. Filip Kostic i Hamburger SV, dhe Andrija Zivkovic i Benficas janë rezerva të mira në krahë. Marko Grujic i Liverpoolit pritet të kontribuojë në qendër në rast nevoje.
Qendra e sulmit duhet të jetë përgjegjësi e sulmuesit të Newcastle, i cili në gjashtë muajt e fundit kishte gjetur golin goxha shpesh në fanellën e Fulhamit, pas vjeshtës shterpë tek ‘laraskat’. Luka Jovic i Frankfurtit është rezerva që mund të befasojë!
RUSSIA 2018
Serbia është e njohur për dështime kundër ekipeve në letër më të dobëta se ta. Kjo vjen më shumë nga nënçmimi i kundërshtarit, dhe frikën më të madhe kanë kundër Kosta Rikës, me të cilët hapin Kupën e Botës, të dielën në ora 14. Me Zvicrën vendosin për fatin e kalimit në fazën e dytë, më 22 qershor në ora 20. Ndeshjen më të vështirë e zhvillojnë kundër Brazilit, me datë 27 qershor në ora 20.