BRAZILI
Për të gjashtin
Shkruan: LUAN MORINA
17 June, 2018 @17:54
Për pesë herë kampionët e botës, gjithçka pos titullit duket të jetë zhgënjim.
5
Pjesëmarrësit e të gjitha edicioneve të Kupës së Botës, të njëzet prej tyre, kanë fituar çerekun, derisa në dy raste kanë përfunduar të dytët. Në më shumë se gjysmën e garave kanë arritur në gjysmëfinale – 11 edicione; e në 16 edicione kanë arritur çerekfinalet. Në fazën e grupeve kanë përfunduar vetëm dy herë – Uruguai dhe në Angli.
Kjo detyron të jenë në mesin e favoritëve, në çdo edicion të Kupës së Botës që paraqiten. E në Rusi, vijnë pas tmerrit në vendlindjen e tyre.
2014
E nisën mirë, me dy gola të Neymarit, i dyti që vinte nga një penallti e dyshimtë e gjykuar nga Nishimura, për fitoren 3-1 ndaj Kroacisë. me Meksikën luanin baras, para se të mposhtnin 4-1 Kamerunin, me dy gola të Neymar dhe nga një Fred e Fernandinhos. Në rrethi ne dytë, Kili binte në penallti pas 1-1 në pjesën e rregullt me golin e David Luiz. Në çerekfinale binte Kolumbia me golat e Thiago Silvas e David Luiz. Në gjysmëfinale mbrojtësit nuk mund të bënin asgjë karshi tankeve gjermane të cilat për 30 minuta shënuan pesë herë.
Në Afrikë Jugore i eliminonte Holanda me Sneijderin, në vitin 2006 Thiery Henry, të dy herët në çerekfinale.
Brazili ka fituar katër nga shtatë edicionet e Kupës së Konfederatave kur kanë qenë pjesëmarrës. Përjashtuar dy të parat dhe në Rusi, ku nuk janë kualifikuar. Titullin olimpik për herë të parë e kanë fituar në Rio, para dy viteve, derisa janë kampion të Amerikës Jugore tetë herë, duke mos arritur të kualifikohen më shumë se çerekfinalja që nga viti 2011.
TITE
Ndonëse nuk ka pasur një karrierë të veçuar si futbollist, Tite ka arritur që me autoritet të ndërroj filozofinë e ekipit duke kthyer lojën atraktive të Brazilit, e cila megjithatë has në probleme kundër ekipeve me mbrojtje të ngjeshura. Në grupe nuk do të kenë këtë problem kundër Zvicrës e Serbisë, por mund ta kenë të vështirë të çajnë Kosta Rikën.
Tite ka bërë një ekip me harmoni, dhe si një strateg me aftësi për të përshtatur ekipin më të mirë në injorim të individëve, zakonisht qëllon qasjen e duhur kundër kundërshtarit. Si pasojë, në ekip ka ftuar emra më pak të njohur, por që i përshtaten ekipit si Taison, e Filipe Luis para Alex Sandro.
Në njëzet e një ndeshje, që nga vera e vitit 2016 kur zëvendësoi Dungan, Tite ka mesatare prej 2.57 pikëve, që është rekord për çdo trajner brazilian në histori të kombëtares. Ka vetëm një humbje, në miqësoren e vjeshtës së kaluar kundër Argjentinës, derisa është edhe një ndeshje e vetme ku nuk kanë shënuar, vjeshtën e kaluar kundër Anglisë. Janë 17 fitore tjera, dhe dy barazime që bëjnë Brazilin favoritin kryesor për titull.
Tite alternon ndërmjet 4-3-3 me krahë ofensiv, dhe 4-1-4-1, duke tërhequr një mesfushorë defensiv – gjithmonë Casemiron, për të pushuar ekipin me përdorimin e kundërsulmeve. Megjithatë, numri i golave të shënuar është edhe më i madh me këtë formacion më defensiv që përdoret kundër ekipeve më të mira.
EKIPI
Alisson është portieri i parë, me Edersonin e Manchester Cityt si portier i dytë, por pa të meta për të marrë pozitën e startuesit në rast nevoje. Cassio i Corinthians vjen si portier i tretë, për të marrë medalje më shumë, se sa për të luajtur.
Thiago Silva udhëheq mbrojtjen, me Mirandan më shpesh se Marquinhos pranë tij. Edhe në këtë repart Tite ka ftuar lojtarë nga kampionati vendor. Pedro Geromel i Gremios vjen në pozitën e qendërmbrojtësit, e Fagner i Corinthians në pozitën e mbrojtësit të djathtë. Të dy do të jenë rezerva, ky i fundit rezervë e Danilos, i cili starton në mungesë të Alvesit në pozitën e mbrojtësit të djathtë. Në anën tjetër Marcelo është startues para Felipe Luis.
Casemiro
është i pazëvendësueshëm në mesfushë, me Fernandinhon, Paulinhon, e Renaton Auguston që ose vendosen para ose pranë tij në treshen e mesfushës. Në këtë pozitë nganjëherë tërhiqet edhe Coutinho, i cili zakonisht është në krahë të sulmit, me Neymarin në krahun tjetër. Në krah shfaqet edhe Willian shpesh, derisa pozita e qendërsulmuesit është e rezervuar për Gabriel Jesusin, dhe në rast nevoje për Neymarin.
Firmino është qendërsulmues rezervë, gjersa për krahë të sulmit mund të kontribuojnë edhe Douglas Costa i Juventusit, dhe Taison i Shakhtarit. E në mesfushë, është edhe Fred, tani lojtari i ri i Manchester Unitedit.
RUSIA 2018
E hapin me Zvicrën, të dielën, para se të ndeshen me Kosta Rikën me datë 22 qershor në ora 14. E mbyllin me Serbinë, pesë ditë më vonë, në mbrëmje. Në çerekfinale mund të takohen me Gjermaninë, për një hakmarrje eventuale të para katër viteve, dhe vazhdimin e rrugës drejt titullit të gjashtë. Ose për t’i lënë gjermanët në rrugë drejt titullit të pestë, për të barazuar rekordin e brazilianëve të cilët nuk kanë ngritur Kupën e Botës që nga viti 2002.