ZVICRA
Zvicra e shqiptarëve për befasi
17 June, 2018 @18:00
Shekulli i traktateve, shekulli XIX ka bërë Zvicrën vend neutral në luftëra eventuale, një neutralitet i garantuar nga fuqitë e mëdha evropiane.
NEUTRALITETI
Zviceranët janë aq neutral sa që deri para 15 viteve kanë refuzuar të anëtarësohen në atë që ne kërkojmë me ngul, Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Neutraliteti ka qenë prezent edhe gjatë dy Luftërave Botërore, ndoshta duke ndihmuar zviceranët të zhvillojnë futbollin më shumë se të tjerët që ishin në luftëra.
Sukseset e Zvicrës në Kupën e Botës vijnë ndërmjet dy Luftërave Botërore, kur në Italinë fashiste dhe në Francë përfundonin në çerekfinale, ku eliminoheshin një herë nga Çekosllovakia, tjetrën herë nga Hungaria. Në Brazil, në vitin 1950 nuk kalonin grupin me Brazilin, Meksikën, e Jugosllavinë. I njëjti fat i ndiqte në Kili e Angli, të cilat ishin kampionatet e para pas vitit 1954.
1954
Një vit pas Luftës së Dytë Botërore, Zvicra do të merrte përsipër të organizonte Kupën e parë të Botës në Evropën e pasluftës, në vitin 1954. Në mes shumë risive, shumica të çuditshme, ky edicion i Kupës së Botës, i pesti, do të mbetet në memorie për mesataren e lartë të golave – 5.3 për ndeshje, dhe Betejën e Bernit.
Në Bern, Zvicra do të humbiste nga Anglia me dy gola, pasi kishin mposhtur Italinë 2-1 në Lozanë. Formati i çuditshëm, detyroi zviceranët të luanin me italianët përsëri, për të fituar përsëri, me Hugi e Ballaman që shënonin për herë të dytë kundër italianëve. Në çerekfinale, Hugi do të shënonte het-trik, e Ballaman do të shtonte edhe dy gola, të cilët nuk mjaftuan kundër austriakëve që shënuan shtatë gola. Është ky suksesi më i madh i Zvicrës në Kupën e Botës, në të cilën do të mungonin prej vitit 1966 deri në vitin 1994.
XHERDANI
Në SHBA do të përfundonin në rrethin e dytë, ngjashëm si 12 vite më pas kur ktheheshin në Kupën e Botës. Edhe në Brazil, që ishte edicioni i tretë radhazi në të cilin merrnin pjesë, përfundojnë në rrethin e parë eliminator. Bien nga Argjentina në vazhdime. Në grupe mposhtin Ekuadorin me golat e Admir Mehmedit e Haris Seferovicit. Blerim Xhemajli e Granit Xhaka shënojnë në humbjen nga Franca, derisa Xherdan Shaqiri mposht i vetëm me tre gola Hondurasin. Nga shtatë golat e Zvicrës në Brazil para katër viteve, gjashtë gola mbanin nënshkrimin e lojtarëve shqiptarë! Kjo e bën Zvicrën si ‘kombëtarja e tretë e shqiptarëve’.
EKIPI
I lindur në Sarajevë, trajneri i Zvicrës, Vladimir Petkovic, suksesin më të madh në këtë zeje e ka me këtë kombëtare. Me 2.1 pikë për ndeshje në 40 ndeshje, Zvicra ndonëse ka fituar 25 nga këto ndeshje, ka hasur në probleme për të shënuar me 1.9 gola për ndeshje. Problemi është tek qendërsulmuesi, një pozitë të cilën Zvicra nuk ka arritur të gjej një bomber dekadën e fundit – që nga pensionimi i Freit i cili vinte në pensionimin e Turkyilmazit.
Në Rusi janë tre ish-jugosllavë – Drmic i Monchengladbach, Seferovic i Benficas, dhe Gavranovic i Dinamos së Zagrebit që do të provojnë të shënojnë më shumë se një gol që kishin shënuar në Brazil. Breel Embolo pëlqen të luaj gjysmësulmues, ngjashëm si Xherdan Shaqiri, i cili mund të lëviz në të tri pozitat e linjës ofensive mbrapa qendërsulmuesit, përfshirë edhe atë të gjysmë-sulmuesit.
Petkovic preferon të luan me 4-3-3 ose 4-2-3-1. Problemi më i madh është që nuk ka krahë origjinal, dhe duhet të improvizojë me mesfushorë ose qendërsulmues. Kjo bën që Zvicra të përqendrohet më shumë në ndërprerje dhe gola nga jashtë zonës.
Mesfusha mbulohet nga veteranët shqiptarë, Behrami, Xhemajli, dhe Granit Xhaka i cili është në moshën e përkryer për një lojtar në këtë repart. Zuber i Hoffenheim mund të mbulojë krahun e majtë nga sulmi në mbrojtje, ngjashëm si Rodriguez. Freuler i Atalantas është tjetër opsion i mirë për mesfushë.
Në anën e djathtë është kapiteni Lichsteiner, kolegu i ri i Granit Xhakës tek Arsenali, dhe talenti i Borussias së Monchengladbachut, Nico Elvedi. Mbrojtja mund të marrë frymë pak më lirshëm me Manuel Akanjin, me Djouroun të kthyer në opsionin e katërt, pas Schaar e edhe Rodriguez.
Në portën kanë luksin të zgjedhin ndërmjet Yann Sommer, që për mendimin tim është më i mirë, dhe Roman Burki.
Sidoqoftë, mungesa e Mehmedit, Derdiyokut, dhe dy talenteve të ardhshme të Zvicrës në sulm, Dimitri Oberlin dhe Albian Ajetit zor që do të bëj më të lehtë shënimin e golave në këtë Kupë Bote.
RUSIA2018
Kupën e Botës në Rusi e nisin me kundërshtarin më të fortë, Brazilin. Ndonëse kanë mposhtur brazilianët para pesë viteve në ndeshje miqësore, me autogolin e Alves, në ndeshje zyrtare do ta kenë zor të përsërisin suksesin. Pas të dielës në mbrëmje, kundër Serbisë në mbrëmjen e 22 qershorit do të vendosin ndoshta përfundimisht për kalimin tutje. Fazën e grupeve e mbyllin me 27 qershor në ora 20, kundër Kosta Rikës në Nizhny Novgorod.