DITARI RUS (4)
Nipat e Mic Sokolit
Shkruan: LUAN MORINA
17 June, 2018 @22:27
KATËR SHQIPTARËT
Ka shumë gojëdhëna në lidhje me historinë e vërtetë të Mic Sokolit. Mund ta quajnë gojëdhënë të ekzagjeruar, ta quajnë mit, e edhe përrallë, dhe nuk kemi fakte të mjaftueshme t’u kundërvihemi. Por, kushdo që sonte provon të mohojë e nënçmoj kontributin e shqiptarëve nën fanellën e Zvicrës, lehtë do i mbyllet goja.
Valon Behrami, miq, njeriu të cilin para disa viteve, një grup i tifozëve kuqezi e fyenin në kor në stadiumin e Lucernit me datë 11 shtator të vitit 2011. Sot, është lojtari i ndeshjes kundër pesë-herë kampionëve të botës, duke mos i lënë të marrë asnjë frymë të lirë lojtarit të tretë më të mirë në botë viteve të fundit.
Zvicra pësoi një gol të papritur, nga jashtë, me Coutinhon të vendosur në një pozitë të mençur sot nga Tite. Por, vështirësitë për të çarë dyshen Behrami-Xhaka ishin të dukshme. Shaqiri mund të jetë dukur sikur pushonte, por pozicionimi i tij thellë në anën e djathtë të fushës mbante të kufizuar Marcelon duke mos i lejuar rehati të lëvizte edhe aq shumë para. E Xhemajli në një pozitë jo edhe aq të pëlqyer për të, bënte një dhjetësh brazilian duke kaluar lojtarët e Brazilit sikur porta sllallomi. Katërshja shqiptare, edhe një herë na e zbardhën fytyrën, për disiplinën e treguar në lojë, për përkushtimin, për maturinë. Krenar që janë shqiptarë.
Sommer pati mbrojtje të mira në disa raste, Akanji e Schar funksionuan për merak, e si zakonisht qendërsulmuesi nuk ishte në nivel detyre. As sonte. E t’i mohohej goli për një ndërhyrje aq të lehtë të Zuberit në shënimin e golit, do të ishte skandali i parë i VAR-it. Tek brazilianët nuk mund të ketë diçka pozitive në një barazim si ky sonte. Padisiplinë në keqpërdorimin e shanseve që kishin. Goditje atraktive dhe të pasakta.
KOSTA RIKA
Krejt ndryshe ishin lojtarët e fqinjëve tanë jo aq të dashur lartë. Shpulla, ndërhyrje, e më së shumti raste të shpërdoruara patën kundër Kosta Rikës, të cilëve u mungoi fati. Me një lojë goxha të bukur kolektive, me sulme përkundër formacionit defensiv, Kosta Rika ishte e pafat të merrte një pikë të merituar nga ndeshja e parë e ditës.
Serbët nuk funksionin aq mirë si ekip. Ljajic për pjesën më të madhe të ndeshjes ishte humbje hapësirë, e Kostic vetëm sa vazhdoi të humbiste rastet. Milinkovic-Savic nuk e gjeti veten, e Mitrovic humbiste rastet.
INJORANCA
Raste të shumta humbën edhe meksikanët. Vetëm një gol në atë që duhej të ishte fitore prej së paku katër sosh kundër një Gjermanie të tmerrshme, e cila me një ndeshje të këtillë edhe do të përshëndetet në grupe nga kjo Kupë e Botës.
Kimmich mbetej në sulm, Ozil humbej në fushë, Muller nuk ishte në pozitën e preferuar, Werner nuk është lojtar për gara të mëdha. Dhjetëra raste për të harkuar nga e djathta, Kimmich, Muller, e Kroos kthenin topin tek Boateng, thuajse ky di të harkoj më mirë. E majta nuk funksiononte në sulm. Vendosja e Mullerit dhe Kimmichut në të njëjtën vijë ku kundërshtari kishte Hirving Lozanon, është injorim i Meksikës. Gabim ishte edhe vendosja e Khediras e Kroosit në pjesën defensive duke lejuar kundërsulme si tren të meksikanëve. E budallallëku më i madh ishte mos-përmirësimi i tyre. Injorancë e Lowit, e cila kësaj radhe s’do t’i shpërblehet. S’do t’i mbulohet nga ekipi.
Meksika nuk shfaqi asgjë për t’u befasuar. Kurajë dhe disiplinë, të mjaftueshme për tri pikë kundër kampionëve botëror.
E HËNË
Korea Jugore e Suedia do të kërkojnë fitoren që të ndjekin Meksikën për kalim tutje. Gjermania mbetet Gjermani, pavarësisht humbjes. Nuk do të ishte çudi që dy ekipet evropiane të kthehen në shtëpi pas grupeve!
Kjo s’duhet të ndodh në grupin G. Belgjika dhe Panamaja ndeshen në ora 17, dhe është koha që së paku një ekip evropian të ‘publikojë’ kandidaturën për titull seriozisht! Deri tani zhgënjim kanë qenë të gjitha, zhgënjim të stilit anglez. E anglezët ndoshta kësaj radhe do të shfaqin diçka tjetër kundër Tunizisë. Nëse edhe nesër dështojnë atëherë do të ishte mirë të shpërndanin ekipin kombëtar dhe të merren vetëm me pjesën ekipore, pasi një humbje nga Tunizia do të ishte turp kombëtar!