JAVA E PARAFUNDIT
A do të mbyllet sot gara për titull?
11 May, 2018 @11:20
Tri ndeshje nga xhiroja e parafundit e edicionit të sivjetëm të Superligës luhen sot.
Nga 3 ndeshjet që luhen sot, dy prej tyre mund të jenë vendimtare në luftën për titull, ndërsa ndeshja e tretë luhet mes Llapit dhe Flamurtarit në Podujevë.
Që të dy skuadrat që po luftojnë për titull, Drita e Prishtina, sot zhvillojnë ndeshje mjaft të vështira.
Skuadra gjilanase në shtëpi e pret Trepçën ‘89, kampionin aktual të Kosovës, që në këtë duel vjen pas dy fitoreve radhazi, kurse Prishtina sot luan si mysafire e Lirisë në Prizren.
Nëse të dyja skuadrat favorite fitojnë sot, titulli do të vendoset në xhiron e fundit në përballjen direkte, ku Prishtinës i duhet një fitore me 2 gola epërsi për t’u shpallur kampione, derisa Dritës i mjafton secili rezultat tjetër.
Të gjitha ndeshjet e ditës luhen me fillim nga ora 16:00.