CONFEDERATIONS

REUTERS
A ndalet Spanja?
27 June, 2013 @12:04
Sonte luhet gjysmëfinalja europiane në kuadër të Kupës së Konfederatave. Takohen, kampioni aktual europian dhe botëror Spanja dhe nënkampioni europian Italia.
MUNGESAT DHE SHPRESAT
Shpresat italiane në përgjithësi janë zbehur me lëndimin e sulmuesit të Milanit, Mario Balotelli. Pas lëndimit në ndeshjen e fundit ndaj Brazilit, Balotelli ka fluturuar për Itali, për t’u shëruar nga lëndimi.
Në tre ndeshjet e para ai ka treguar rëndësinë e madhe që ka për kombëtaren e azzurrëve. Shënoi golin e fitores në ndeshje ndaj Meksikos, shënoi penalltinë në fitoren 4-3 ndaj Japonisë dhe bëri një asistim perfekt me takë, për golin e Emanuele Giaccherinit në humbje ndaj Brazilit.
Vendin e tij pritet ta zë sulmuesi me përvojë, Alberto Gilardino.
Spanja përkundër se ka Francesc Fabregasin dhe Roberto Soldadon e lënduar lehtë, ata mund të luajnë sonte.
Trajneri i spanjollëve, Vicente Del Bosque, ka provuar të tre portierët në tre ndeshjet e para: Iker Casillas, Pepe Reina dhe Victor Valdes, sipas radhës ndaj Uruguajit, Tahitit dhe Nigerisë.
ÇKA THANË TRAJNERËT?
Cesare Prandelli (Italia): Ambicia jonë është të tregojmë cilësinë, sasinë dhe forcën. Objektivi ynë është të tregohemi sa më shumë që mundemi. Ne do të luajm lojë të balancuar dhe do të kërkojmë fitore. S’kam arsye pse të kërkojë hakmarrje ndaj Spanjës. Kur luan ndaj ekipeve të mëdha është kënaqësi t’i shikosh ata se si fitojnë... nëse nuk je pjesë e ekipit humbës.
Vicente Del Bosque (Spanja): Nuk mendoj se do të ndërrojmë sistemin ndaj Italisë. Do të presim deri në momentin e fundit për të parë çështjen Soldado dhe Fabregas, nëse nuk arrijnë, atëherë do të mendojmë për alternativa. Do të na mungojnë natyrisht, por jo sa për të dramatizuar. Të gjithë e dimë futbollin, na duhet organizimi, shpirti ekipor, por edhe shpirti garues e luftarak - kjo është esenciale.
FORMA E PËRFAQËSUESEVE
Spanja në pesë ndeshjet e fundit - i ka fituar të gjitha dhe nuk fal askënd. Italia në anën tjetër, ka dy fitore, dy barazime dhe një humbje, nga pesë ndeshjet e fundit të zhvilluara në të gjitha garat si kombëtare.
KOKË-MË-KOKË
Në pesë takimet e fundit kokë-më-kokë, Spanja ka tre fitore (një, pas penalltive), një ndeshje ka përfunduar me barazim dhe Italia ka një fitore (në miqësore, 10 gusht 2011). Nëse nuk llogaritet ndeshja miqësore, Italia nuk ka arritur fitore ndaj Spanjës që nga viti 2000.
GOLASHËNUESIT
Golashënuesit më të mirë të Spanjës janë: Fernando Torres me pesë gola të shënuara dhe David Villa me tre. Te azzurrët, vetëm Mario Balotelli, që nuk do të luaj për shkak të lëndimit ka dy gola të shënuara.
Ndeshja luhet sonte në Fortaleza me fillim prej orës 21:00.
KUPA E KONFEDERATAVE, GJYSMËFINALJA:
21:00, Governador Plácido Aderaldo Castelo, Fortaleza | Italia-Spanja | Gjyqtar kryesor: Howard Webb (Angli) |
KUOTAT E WILLIAM HILL:
1 | Italia fiton - 7.50 | Barazim - 4.75 | Spanja fiton - 1.40 |