BECKHAM
Ai do të bëj dallimin
12 July, 2014 @21:06
Ish ylli i përfaqësueses angleze, David Beckham, mendon se Lionel Messi është njeriu që do të mund të bëj dallimin në finale të Kupës së Botës.
Anglezi ka thënë se, ai dëshiron me të madhe të çimentojë cilësitë e tij në futboll duke e fituar trofeun më të madh futbollistik.
Këtë gjë Argjentina nuk e ka arritur që nga viti 1986 kur Diego Maradona, që aq shumë krahasohet me Messin, kishte qenë inspirues i Gauchosëve.
“Ai është i mrekullueshëm. Ai u jep njerëzve kënaqësi. Ai është edhe lojtar për ekip, është edhe individualisht i mirë - por fitorja për të do të thotë gjithçka,” ka thënë Beckham për kanalin e Adidasit në YouTube.
“Nëse ndonjë bashkëlojtar i tij shënon, ai është i pari që vrapon për të festuar golin dhe besoj që kjo tregon shuëm për të. Të luash për Argjentinën, jam i sigurt se ka presion shtesë, por tashmë gjithçka do të thotë shumë për të, familjen e tij dhe çdokë në botë - fakti se Messi do të luaj në këtë nivel,” ka vazhduar mes tjerash Beckham, transmetojnë mediat e huaja sot.
Argjentina dhe Gjermania do të ndeshen për herë të tretë në finale të Kupës së Botës. Finalja e “Meksika 1986” i kishte takuar Argjentinës dhe prej asaj kohe Argjentina nuk ka arritur më të fitojë titullin e Botës. Ndërsa finalja e “Italia 1990” i kishte takuar Gjermanisë - që gjithashtu prej asaj kohe nuk e ka fituar më titullin e Botës.