LA PULGA
Shkrin titujt individual për atë të Botës
12 July, 2014 @16:48
Ylli argjentinas, Lionel Messi, që për herë të parë i është afruar ëndrrës së Botërorit, ka pohuar se do t’i ipte të gjithë titujt e tij individual të fituar deri më sot - për të fituar Kupën e Botës me Argjentinën.
Gauchosët do të takohen me Gjermaninë në Rio De Janeiro të dielën për të përcaktuar më të mirin e Botës, e sulmuesi i Barcelonës, Messi, ka folur për Bildin gjerman.
“Do t’i ipja të gjitha çmimet e mija individuale për tu bërë kampion bote me Argjentinën,” është cituar të ketë thënë Messi.
“Preferoj titullin e Botës me Argjentinën më shumë sesa Topin e Artë. Si lojtar, të arrish të fitosh Kupën e Botës është gjëja më e madhe në futboll. Një ëndërr rinore që nuk humbet kurrë,” ka vazhduar kapiteni 27 vjeç i argjentinasve.
“Kam pyetur bashkëlojtarët e mij te Barcelona, Xavi Hernandez, Andres Iniesta dhe Gerard Pique, çfarë ndjenje është të fitohet ky trofe - dhe më kanë thënë se nuk shpjegohet lehtë kjo gjë. Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi nesër që këtë ëndërr argjentinase ta realizojmë,” ka thënë golashënuesi i katërfishtë i Argjentinës në këtë Botëror.
Leo Messi është njëri ndër futbollistët më të mirë që ka parë njerëzimi. Ai ka fituar gjithçka me ekipin e tij Barcelonën dhe individualisht - por me Argjentinën - asgjë.
Gjermania pret Argjentinën në Maracana nesër me fillim nga ora 21:00.