HAKMARRJE NË MIQËSORE

Argjentina i hakmirret Gjermanisë
3 September, 2014 @23:16
Përfaqësuesja e Argjentinës është shfryer ndaj Gjermanisë pas humbjes së fundit në finale të Kampionatit Botëror Brazil 2014.
Në ndeshjen e parë me përzgjedhësin e ri, Gerardo Martino, argjentinasit fituan me rezultat 2-4 ndaj kampiones së botës, madje duke krijuar epërsinë më të thellë prej 0-4 me anë të golave të Agueros, Lamelas, Fernandezit dhe Di Marias, derisa gjermanët u munduan ta zbusin disavantazhin me anë të Schurrles dhe golashënuesit të vetëm të finales së Botërorit, Mario Gotze.
Lojtari i ri i Manchester Unitedit, Angel Di Maria, ka treguar se sa shumë i ka munguar Argjentinës në përfundimtaren e Botërorit, pasi që ka qenë protagonist kryesor i dy golave të para të Gauchosëve kur asistoi mjeshtërisht te Sergio Aguero dhe Erik Lamela në pjesë të parë.
Kjo ndeshje shërbeu si parapërgatitje sidomos për Gjermaninë, e cila pas katër ditësh do ta luaj ndeshjen e parë të eliminatoreve për Kampionatin Europian kundër Skocisë.