I RIU PREMTUES
Armando Broja me kontratë profesionale te Chelsea
19 February, 2020 @12:10
Futbollisti 18 vjeçar, që luan një kohë të gjatë te grupmoshat e Chelseat të Londrës, Armando Broja, dje përmes një njoftimi të lëshuar në llogarinë e tij personale në Instagram ka bërë të ditur se ka nënshkruar kontratë profesionale me ekipin nga Stamford Bridge.
I lindur më 10 shtator 2001 në Slough të Anglisë, Broja qe pesë vite është i rregullt në ekipet zinxhir të Chelseat, duke luajtur sipas nevojës në ekipin U18 dhe U23.
Vetëm këtë stinor, Broja ka shënuar 10 gola në kampionat për Chelsean U18 ndërsa tre të tjerë për Chelsean U23.
Përndryshe Broja me kohë është regjistruar në FSHF për të qenë pjesë e kombëtares dhe merr rregullisht ftesa për ndeshjet e Shqipërisë U19, ndërsa tash po ftohet edhe në Shqipërinë U21.
Për sulmuesin në fjalë, Chelsea News ka shkruar se ka sy për gol dhe fuqi të jashtëzakonshme në sulm. Ndërsa ka shtuar se Chelsea është me fat që në këto kohëra kur ekipi i parë po vuan për një sulmues të mirë, të ketë opcione si Broja.
E në postimin e tij personal, sulmuesi ka shkruar: “Shumë i lumtur që nënshkrova kontratë profesionale me Chelsean. Falenderoj prindërit dhe familjen që më kanë qëndruar pas dhe më kanë përkrahur. Nuk do të isha këtu pa ata.”
Në debutimin e tij me kuqezinjtë U21 ka shënuar çiftgolësh! Chelsea në artikullin për Brojën përmend hat-trickun ndaj Huddersfieldit në FA Youth Cup, si dhe golin e vetëm të derbit ndaj Tottenhamit. Në derbin e fundit ndaj Arsenalit, në fitoren 2-1, ai shënoi gjithashtu.
Sipas faqes zyrtare të Chelseat, Broja ka nënshkruar kontratë 2.5 vjeçare, që e mban atë në klub deri në fund të qershorit të vitit 2022, si shpërblim për start të mrekullueshëm të stinorit 2019/20 për ekipet zinxhir të klubit.