WEST HAM - ARSENAL
Arsenali bie në ‘London Stadium’
12 January, 2019 @15:11
Në ndeshjen e parë të ditës së sotme në Premier League, Arsenali është mposhtur me rezultat minimal 1-0 nga skuadra e West Hamit.
Vendasit zhvilluan një ndeshje mjaft të mirë dhe me plot meritë arritën t’i fitojnë 3 pikë, e Arsenali në anën tjetër bën një hap prapa në luftën për top4.
Pjesa e parë u mbyll pa gola, kurse goli i fitores për vendasit erdhi nga Declan Rice, i cili u shërbye nga Samir Nasri pas një largimi jo fort të mirë të topit me kokë nga Granit Xhaka.
Edhe Xhaka, edhe Mustafi, sot ishin startues për Arsenalin dhe luajtën për nga 59 minuta, ndërsa ky i fundit ndeshjen e mbylli me karton të verdhë.
Sa për statistika, kjo ishte ndeshja e dytë që Arsenali nuk arriti të shënojë të paktën një gol këtë sezon në Premier League. Herën e fundit kur kjo kishte ndodhur ishte në xhiron e parë të sezonit, ndaj Cityt në Emirates.
Fitorja e sotme e ngrit West Hamin në kuotën e 31 pikëve, kurse Arsenali momentalisht ka dhjetë më tepër.