SUEDI

Astrit Selmani fiton çmimin “Kristallkulan”
2 January, 2021 @16:00
Sulmuesi kosovar që ka treguar formë të lartë gjatë vitit që e lëmë pas me skuadrën suedeze Varbergs, Astrit Selmani, ka fituar çmimin “Kristallkulan” nga revista suedeze GT.
Ky çmim që nga viti 1950 i jepet tradicionalisht çdo vit futbollistit më të mirë të Suedisë perëndimore.
Selmani është konsideruar i pakonkurrentë për ta fituar këtë çmim, falë performancës së shkëlqyer me ekipin Varbergs, me të cilën ka shënuar 15 gola në 24 paraqitje të kampionatit suedez.
Futbollisti 23 vjeçar së fundi ka bërë edhe një tjetër ngritje në karrierën e tij, pasi u transferua te skuadra ish kampione e Suedisë, Hammarby, për të cilën do të luajë gjatë vitit 2021.
Kujtojmë se emri i Selmanit kohëve të fundit është përmendur si një përforcim i mundshëm edhe për përfaqësuesen e Kosovës.