ATLETICO MADRID - JUVENTUS
Atletico ia vështirëson rrugën për finale
20 February, 2019 @22:58
Finalja e tretë për Juventusin në pesë vitet e fundit duket të jetë vështirësuar shumë. Bianconerët që synim kryesor në vitet e fundit kanë Ligën e Kampionëve, janë mposhtur në Wanda Metropolitano nga Atletico Madridi i Diego Simeones me kontratë të renovuar, 2-0.
Ka qenë një super ndeshje ajo në mes Atletico Madridit dhe Juventusit sonte në Madrid, ndërsa ish juventini Alvaro Morata dha sinjalet e para se bianconerët do ta kenë vështirë.
Një gol i tij u anulua për faul nga VAR, pas së cilës pasuan golat e shënuar nga Jose Maria Gimenez dhe Diego Godin, të dyja nga karambolli në zonë të rreptësisë dhe të dy mbrojtës.
Cristiano Ronaldo që në fund të ndeshjes kishte një rast të mirë për shënim, tashmë do ta ketë tejet të vështirësuar rrugën për në finalen e katërt radhazi në Champions League.
Më 12 mars Juventus do të kërkojë fitoren me tre gola epërsi ndaj rojiblancove, me synim çerekfinalen. E ekipi i Simeones do të synojë një gol si mysafir për t’ia vështirësuar Massimiliano Allegrit edhe më tepër kualifikimin.