SADAT PAJAZITI, LARGOHET
Pas disfatës në derbi, Gjilani ndahet me trajnerin
20 February, 2019 @16:19
Derbi më i madh i Kosovës, ai ndërmjet Dritës dhe Gjilanit ka lënë ekipin humbës pa trajner.
Gjilani përmes një njoftimi para pak çastesh ka bërë të ditur se ka shkëputur me marrëveshje të dyanshme, bashkëpunimin me trajnerin e ekipit Sadat Pajaziti.
“SC Gjilani falenderon Pajazitin për kontributin e dhënë deri më sot dhe i uron suksese në vazhdim të karrierës,” ka shkruar ndër të tjera njoftimi i klubit bardhekuq nga Anamorava.
Detyrën e trajnerit të Gjilanit në ndërkohë do ta kryejë ndihmësi i deritashëm i Pajazitit, Alban Hyseni.
Hyseni do të drejtojë ekipin në përballjen e radhës që Gjilani e luan ndaj Flamurtarit në fundjavën që vjen.
Gjilani është eliminuar nga Kupa dhe ka humbur hapin me kryesuesit e Superligës, kështu objektivi i vetëm i ekipit deri në fund të stinorit mbetet qëndrimi në mes të klasifikimit dhe mosrrezikimi i statusit elitar.
Me largimin e Pajazitit nga detyra, tashmë kanë mbetur vetëm tre skuadra kosovare që nuk kanë ndërruar kryetrajnerin që nga fillimi i stinorit, e ato janë: Prishtina (Mirel Josa), Flamurtari (Arsim Thaçi) dhe Drenica (Tahir Lushtaku).