FENERBAHÇE - BESIKTAS
Ayew shpëton Fenerin
24 September, 2018 @22:05
Një Fenerbahçe që në pjesë të parë luante më shumë me top, karshi një Besiktasi të orientuar në mbrojtje dhe pjesa e parë përfundoi 0-1 në të mirë të bardhezinjëve nga Stambolli.
Ka qenë holandezi Ryan Babel që me mjeshtri vetanake topin e ndal, krijon hapësirë dhe nga asgjëja, që mund të quhet edhe rasti i vetëm i Besiktasit në pjesë të parë, shënoi për 0-1 (40’).
Fenerbahçe në kërkim të fitores së dytë me radhë iu sul edhe më sulmit në pjesë të dytë dhe gjeti golin përmes Andre Ayewit, që shënoi me kokë, duke lënë Loris Kariusin të shtangur në portën e mysafirëve, 1-1 (71’).
Më pas, ndeshja u këput tërësisht dhe sulmet shkonin parreshtur në të dyja anët, derisa Besiktasi dukej më i sigurt në sulme, por goli nuk erdhi për asnjërën palë dhe kështu, derbi i madh i Stambollit përfundoi pa fitues.
Pas gjashtë xhirove, Besiktas ka 11 pikë dhe gjendet në pozitë të katërt të klasifikimit, ndërsa Fenerbahçe shtatë, e stacionuar në pozitën e 13-të.