REKORD TRANSFERI BOTËROR

REUTERS
Bale debuton nesër
13 September, 2013 @17:25
Uellisani që theu rekordin botëror me transferin e tij nga Tottenham Hotspurs në Real Madrid, do të debutojë nesër për klubin madrilen.
Kështu ka njoftuar vetë trajneri italian i Real Madridit, Carlo Ancelotti, në konferencën e sotme për shtyp njoftojnë mediat spanjolle.
“Mendoj se çdokush e din që ai kaloi momente jo të natyrshme gjatë verës, mirëpo kondicioni i tij fizik nuk është i keq,” ka thënë Ancelotti në konferencë për shtyp.
“Nuk e di nëse do ta fusë në lojë që nga minuta e parë, mirëpo ai do të luaj në ndeshjen tonë të radhës në La Liga, sigurisht. Më duket i emocionuar dhe shumë i motivuar,” ka shtuar më tej strategu italian i Real Madridit.
Gareth Bale, 24 vjeçar, pritet që të fillojë nga banka ndeshjen e nesërme të Real Madridit ndaj Villarealit. Ndërsa pasi që Marcelo dhe Fabio Coentrao janë të lënduar, futbollisti më i shtrenjtë në botë, nuk është çudi që do të mund të luaj në krahun e majtë të mbrojtjes së madrilenëve.
Real Madrid dhe Villareal, bashkë me Barcelonën dhe Atletico Madridin, janë skuadrat e vetme që kanë rekord të qindpërqindtë në fillimstinor të La Ligas. E nesër, ose Real Madridi ose Villareali do të duhet të pajtohen me mosvazhdim të rekordit.
Ndeshja e nesërme ku pritet të debutojë Bale, fillon nga ora 22:00 dhe luhet në El Madrigal të Villarealit. Nëndetësja e verdhë ka koeficient 5.0 për fitore, derisa kampioni i shumëfishtë i Spanjës, Real Madrid 1.61.