KTHEHEN SI KAMPIONË
Baliqi maestral, Trepça me fitore në Superligë
21 May, 2016 @17:34
Trepça është edhe zyrtarisht tashmë kampione e Ligës së Parë të Kosovës në futboll. Ekipi mitrovicas ka arritur të kthehet ‘ekspres’ në Superligë, pas vetëm një viti të kaluar në rang më të ulët të garave.
Ferizaji kishte marrë avantazhin në “Adem Jashari” por ekipi mitrovicas ka arritur të rikthehet në lojë duke barazuar 1-1, ndërsa krejt në fund, kapiteni i ekipit Emin Baliqi me lëvizjë mjeshtërore në zonë të rreptësisë ka shënuar për fitoren e Trepçës 2-1.
Trepça kështu ka shënuar fitoren e 23-të në Ligë të Parë dhe me 70 pikë të tubuara ka përfunduar si kampione e Ligës së Parë, ndërsa festa në Mitrovicë ka filluar tashmë.
Emin Baliqi kishte qenë pjesë e Trepçës’89 stinorin e kaluar dhe kishte menduar ta lë futbollin aktiv, por dëshira për të kthyer shpejt Trepçën në Superligë ia ndërroi mendimin atij - dhe ja sot - kapiteni zyrtarisht kreu detyrën e tij perfekte dhe e kurorëzoi atë me gol.