DREJT PUSHIMEVE
Shkëndija pret rivalin për Europa Ligë
Teksti: kfshkendija.com
21 May, 2016 @17:11
Pas ndeshjes së fundit kampionale me Shkupin, skuadra është lëshuar në pushim të merituar ku do të qëndrojë deri më 3 qershor. Më 4 qershor nisin përgatitjet me ditët e para që do të shfrytëzohen për teste mjekësore dhe fizike, ndërsa prej 8 deri më 24 qershor ekipi do të qëndrojë në përgatitje në Slloveni.
Viti historik
Shkëndija të enjten ka mbyllur aktivitet për sezonin garues 2015/2016 dhe futbollistët me stafin teknik kanë shkuar në pushim të merituar pas një sezoni të lodhshëm dhe intenziv ku ekipi luftoi paralel në kampionat dhe Kupë. Pas fitores 1:3 në fushë të Shkupit, me një darkë të përbashkët kryesia, stafi teknik, futbollistët, menaxhmenti dhe përfaqësues të grupit të tifozëve ‘Ballistët’, kanë shënuar mbylljen e këtij sezoni në të cilin Shkëndija për herë të parë në histori fitoi trofeun e Kupës, ndërsa në kampionat u ndal në vendin e dytë.
Përgatitjet
Futbollistët janë lënë të lirë deri më 3 qershor. Gjashtë ditët e para të gjithë janë të obliguar në pushim total, ndërsa më pas secili duhet të respektojë planin individual të përgatitur nga trajneri kondicional, Metin Dalip. Përgatitjet fillojnë më 4 qershor, ndërsa tre ditët e para do të kryhen teste mjekësore dhe fizike.
Rivali në Europa Ligë
Prej 8 deri ma 24 qershor skuadra do të qëndrojë në Slloveni ku do të zhvillohet faza kryesore e përgatitjeve dhe ku janë paraparë të luhen katër ndeshje kontrolluese. Atje ekipi do të mësojë emrin e kundërshtarit për në Liga Evropa, pasi më 20 qershor UEFA ka caktuar hedhjen e shortit. Sipas asaj që qëndron në faqen zyrtare të shtëpisë së futbollit evropian, ndeshjet e para do të luhen ma 30 qershor, ndërsa ato të kthimit më 7 korrik.