PAS TRIUMFIT

Tahir Batatina, trajner i Llapit/ Foto: KFLlapi/fb
Batatina: Asnjë trofe s’do të jetë më interesant
13 May, 2021 @0:18
Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, ka qenë jashtëzakonisht i gëzuar pas triumfit në Kupë të Kosvës dhe njëkohësisht krenar për arritjen historike për klubin nga Podujeva.
Llapi ka arritur të triumfojë në finale të Kupës së Kosovës duke e mposhtur Dukagjinin pas penalltive, ndërsa ky ka qenë trofeu i parë i fituar në histori të klubit për llapjanët, derisa me këtë kanë siguruar edhe daljen në garat evropiane.
“Mendoj që është emocion i paparashikueshëm, pasi që shumë gjenerata kanë sakrifiku për këtë. Trimat i përcjell fati, trimat i përcjell historia, nuk jam dorëzuar asnjëherë dhe tash më vjen mirë që për herë të parë si trajner podujevas sjell trofeun e parë në Podujevë,” ka thënë i kapluar nga emocionet e fitores Batatina.
Ai më tej ka folur edhe për gjenerat e vjetra dhe futbollistët llapjan që nuk janë në mesin tonë, duke përmendur edhe Fadil Vokrrin, ndërsa sa i përket festës ka thënë se ajo do të vazhdojë.
“Do të festojmë fitoren bashkë me Legjendat në Podujevë me tu kthyer dhe dua t’ju them se rruga e trofeve në Llap nuk do të ndalet me kaq. Jam krenar që kam arritur trofeun e parë dhe historik me Llapin dhe asnjë trofe tjetër nuk do jetë interesant për mua si ky, pasi që është i pari në histori të klubit,” ka vazhduar Batatina.
Sa i përket ndeshjes, ai është shprehur se aty nuk ka pasur shumë lojë dhe dueli është ndërprerë shumë herë.
“Sot nuk ka pasur shumë futboll, më shumë ka pasur ndërprerje të lojës. Ne nuk jemi dorëzuar as kur ishim në disavantazh, kemi shënuar në sekondat e fundit dhe pastaj me penallti kemi fituar. Trofeu në Llap është ëndrra e parë, ndërsa Llapi evropian tashmë është realitet,” ka thënë ndër të tjera trajneri i Llapit.
Në serinë e penalltive, Llapit i shkëlqeu portieri kroat Marjan Coric, që mbrojti dy penallti të kundërshtarit, për t’i dhënë fitoren në serinë e fundit të penalltive ekipit të tij.
Përndryshe, pas 90-minutave të kohës së rregullt pa gola, 0-0, Dukagjini mori epërsinë në minutën e 113-të të ndeshjes, për tu neutralizuar kjo në fund, minuta e 120-të përmes Elivs Prençit.