PAS NDESHJES

Armend Dallku, trajner i Dukagjinit/ Foto: KFDukagjini/fb
Dallku: Krenar me ekipin, rezerva në referim
13 May, 2021 @0:07
Trajneri i Dukagjinit Armend Dallku në deklaratën e tij pas ndeshjes, pasi që u mposhtën në finale të Kupës së Kosovës pas penalltive nga Llapi, ka thënë se është krenar me ekipin e tij dhe lojën e paraqitur, por ka rezerva në ndarjen e drejtësisë në këtë ndeshje.
“Normalisht, është ndjenjë e hidhur të humbasësh në finale. Por unë jam i lumtur me lojën e djemve. Kemi luajtur si jemi marrë vesh, raste kemi pasur, por kam rezerva ndaj referimit. Duhet të trajtohemi njëjtë si Liga e Parë si ekipet e Superligës. Nuk ka qenë tretmani i njëjtë nga referi, më janë ankuar edhe lojtarët,” ka thënë Dallku.
Ndërkaq sa i përket mundësisë së madhe për trofe, daljes në Evropë dhe mesazhit për tifozët e klubit - ai ka thënë se të gjithë duhet të jenë krenar me lojtarët.
“Jemi të zhgënjyer pasi nuk arritëm t’i bëjmë të gëzohen sonte. Gjithmonë i kemi afër ata, ata janë lojtari ynë i 12. Duhet të jenë krenar me ekipin dhe lojën që treguan djemtë. Futbollistët treguan se nuk ka dallim të madh mes Ligës së Parë dhe Superligës, ndërsa sa i përket penalltive ato janë fat, nuk ka faj askush aty - dihet, penalltitë janë fat,” ka shtuar në fund ish-futbollisti i dikurshëm i kombëtares shqiptare, që tash po drejton ekipin nga Klina.