TAHIR BATATINA
Batatina: Penalltitë i kemi ushtruar 10 ditë rresht
18 February, 2017 @16:12
Skuadra e Llapit është kualifikuar në çerekfinale të Kupës së Kosovës, pasi që e eliminoi Feronikelin pas ekzekutimit të penalltive.
Trajneri i llapjanëve, Tahir Batatina, duke e vlerësuar ndeshjen, tha se skuadra e tij u tregua e vëmendshme, duke pasur parasysh që përballë e kishte një skuadër që është shpallur kampion në dy vitet e fundit
“Jemi treguar të vëmendshëm, duke ditur që përballë e kemi kampionin. Feronikeli nuk është dy herë kampion rastësisht dhe
në vitet e fundit ka zotëruar në futbollin kosovar, për këtë edhe mendoj që kemi qenë më të kujdesshëm,” tha Batatina për kanalin transmetues televiziv të ndeshjes, Supersport.
Ai, më tej shtoi se skuadra e tij tregoi forcën që e ka, duke u shfaqur si skuadër më stabile, por pranoi se kishte edhe gabime në lojë.
“Ne e treguam forcën tonë. Treguam që jemi skuadër stabile. Edhe pse kishim lojën nën kontroll dhe gjithmonë kemi qenë të favorizuar duke qenë në epërsi para Feronikelit, në lojë kemi bërë disa gabime, të cilët shpresoj t’i përmirësojmë në ndeshjet e radhës.”
“I kemi ushtruar penalltitë”
Fitorja e Llapit erdhi pas ekzekutimit të penalltive, ndërsa kjo nuk ishte rastësisht sipas Batatinës.
Ai, bëri të ditur se skuadra paraprakisht ishte e përgatitur edhe për penalltitë.
“Për dhjetë ditë rresht kemi ushtruar penalltitë, duke menduar që mund të vije rasti këtu, e kështu edhe ndodhi dhe jam i lumtur që lojtarët e dhanë maksimumin dhe uroj fitoren lojtarëve.”
Për fund, Batatina foli edhe për përforcimin e ri të Llapit, Mirlind Dakun, i cili e shënoi golin e dytë të skuadrës pasi u inkuadrua në lojë.
“Që prej ardhjes time në Llap kam kërkuar talenta dhe lojtarë që luftojnë, e jo ata që kanë emra. I tillë është Mirlindi. Është shumë i ri, por që ka cilësi dhe që mund të bëjë diferencën në momente të caktuara, gjë që e dëshmoi edhe sot duke shënuar golin e dytë. Ky ishte edhe ndërrimi taktik që e bëmë, duke e zëvendësuar me Berat Hysenin, i cili u lëndua,” përfundoi ai.