ÇEREKFINALJA E KUPËS: TREPÇA-TREPÇA'89
Befasi në Kupë, Trepça mposht rivalin lokal
16 March, 2017 @14:47
Trepça është gjysmëfinalistja e fundit e Kupës së Kosovës në futboll. Ekipi që po lufton për mbijetesë në kampionat, ka arritur ta mposht ekipin që lufton për titull në kuadër të çerekfinales së Kupës, pas penalltive.
RAPORTI I GJËRË
Trepça’89 ia nisi ndeshjes pa Shpëtim Idrizin, mesfushorin kryesor të skuadrës. Krijoi raste në pjesë të parë, por goli nuk erdhi.
Më pas, trajneri Zekirija Ramadani u desht të ndërrojë Oto Johnin për shkak të një lëndimi, ku në vend të tij futi ish-lojtarin e Trepçës, Hasan Hyseni.
E në pjesë të dytë me një kundërzbritje të shpejtë, Samir Sahiti shënon në portën e reprezentuesit Bledar Hajdini për epërsinë e Trepçës, 1-0. Gëzim i madh në taborin e drejtuar nga Fidaim Haxhiu te Trepça.
Ramadani më pas inkuadroi Idrizin, por Trepça kishte marrë hov dhe 12 minuta para fundit të takimit, Ergyn Ahmeti nga afërsia shënoi gol të bukur për 2-0.
Fiton Hajdari 2 minuta para fundit të ndeshjes, shfrytëzoi një gabim të mbrojtjes për të ulur epërsinë në 2-1 dhe për t’i dhënë shpresë skuadrës së tij. Ky gol erdhi papritur. E kjo doli të jetë vendimtare.
Shpejt 89-shi tregoi fuqinë duke marrë plotësisht iniciativën dhe në kohën shtesë të takimit të caktuar nga referi, barazoi në 2-2 për të çuar ndeshjen në vazhdime. Golashënues ishte Hyseni, që hyri si zëvendësues.
Ndeshja shkoi në vazhdime. Dy herë nga 15 minuta duhej të luheshin për të përcaktuar gjysmëfinalistin. Trepça dukshëm më e lodhur se 89-shi, por kjo nuk vërehej kur u vinte topi në këmbë, në posedim. Djelmoshat e Haxhiut vazhduan luftën deri në fund. Vazhdimet nuk sollën gol dhe penalltitë përcaktuan fituesin në fund.
Trepça ishte më e saktë në ekzekutimin e 11 metërshave dhe triumfoi 4-3 për të vazhduar garën.
GJYSMËFINALISTËT
Kështu fituesi i sotëm, Trepça, i bashkohet në shortin gjysmëfinal Besës, Drenicës dhe Llapit, që do të kërkojnë trofeun e Kupës për vitin 2017.