TË PAHARRUESHMET
Befasitë Evropiane - Danimarka ‘92
Shkruan: Luan MORINA
26 May, 2016 @22:57
Deri në edicionit e vitit 1992, përfshirë këtë edicion, kampionati evropian ka pasur vetëm nga tetë kombëtare. Rënia e Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë krijoi mbi 15 shtete të reja në kontinentin e vjetër që shtyri deri në zgjerimin e kësaj gare. Deri atëherë, befasitë në kampionate evropiane pothuajse nuk kanë ekzistuar. Kualifikimi i Irlandës më 1988, Rumanisë katër vite më parë, Greqisë më 1980 mund të veçohen si befasitë më të mëdha, të cilat kanë përfunduar me një paraqitje mesatare. Më parë, titullin e Çekosllovakisë në edicionet të ngjashme me Final-Four të këtyre ditëve, mund ta konsiderojmë si ngjarje më të papritur të kampionateve evropiane. Befasitë nisin në Suedi. Dhe atë falë politikës.
Danimarka – 1992
Danimarka kishte ardhur në këtë garë pas sanksioneve ndaj ish-Jugosllavisë. Kombëtarja tashmë e shuar përbënte njërën nga gjeneratat më të mira në fillimin e asaj dekade në futboll, të cilët kishin ardhur nga triumfi në kampionatin botëror e të rinjve dhe titullin i Crvena Zvezdës. Të udhëhequr nga Peter Schmeichel që kishte kaluar në Manchester United, danezët kishin ardhur sa për sy e faqe, me shanse aq minimale sa që lojtari i tyre më i mirë, Michael Laudrup kishte vendosur të mos prishte pushimet verore pas largimit nga kombëtarja në vitin 1990 (mosmarrëveshje me trajnerin) për një udhëtim të ‘panevojshëm’ në Suedinë fqinje.
Për danezët asgjë nuk ishte e pazakontë deri në ndeshjen e fundit në grupe. Me anglezët e Gary Lineker, David Platt, e Stuart Pearce kishin luajtur baras pa gola, e të njëjtën gjë nuk kishin arritur ta bënin kundër vendasve të cilët të udhëhequr nga Brolin e Dahlin, kishin sulmuar për pjesën më të madhe të ndeshjes, për të shënuar pas një ore lojë. Edhe ndeshja e fundit në grup kishte nisur ngjashëm. Me Cantonan e Papin, francezët kishin vendosur të sulmonin që nga fillimi për fitoren që ju nevojitej të dyjave për të kaluar në gjysmëfinale. Schmeichel kishte qenë shtylla e tretë në golin danez që mbulonte të 7 metrat e 32 centimetrat e kampionëve të ardhshëm të Evropës. Sulmet vetëm sa kishin ardhur e shtuar pas golit të Larsenit, sulme që u kurorëzuan me golin e Papin. Edhe pas golit pozita e ekipeve në fushë nuk kishte ndryshuar.
Danezët ende prisnin ndonjë kundërsulm eventual për golin e fitores. Goli erdhi pas gabimit të mbrojtjes në pozicionim duke lëshuar grackën e ofsajdit dhe pamundësi për të ndaluar harkimin që preku këmbën e Lars Elstrupit. Pas këtij goli, francezët tashmë të lodhur fizikisht kishin marr edhe goditjen e fundit psikike. Ishte hapi i parë drejt befasisë më të madhe të Evropianëve deri atëherë.
Jeni me fat nëse mbani në mend Marco Van Bastenin – njeriun më të pafat të viteve ‘90ta. Me fat mund ta konsideroni veten edhe nëse ju kujtohet magjia e Dennis Bergkamp (sidomos depërtimet e tija), i cili ka luajtur pak më gjatë se ekipi që asokohe mbronte titullin e përbëhej nga trajneri aktual i Southamptonit Ronald Koeman, revolucionari i Barcelonës së tanishme, i lënë në hije padrejtësisht, Frank Rijkaard, Rob Witschge, Frank De Boer etj. Danezët tashmë kishin mësuar strategjinë e tyre – kundërsulmet duhet të nisnin më herët, dhe nuk është turp të mbash topin pak më shumë. Me vëllain e madh në pushim, Brian Laudrup ishte pika kryesore në mesfushën.
Ai kishte asistuar për Larsenin i cili kishte mbyllur ndeshjen me dy golat e tij që në fund e renditin në mesin e golashënuesve më të mirë të cilët kishin vetëm kah tre gola. E di, diçka bizare në futbollin e sotëm! Holandezët nuk kishin sulmuar sikur francezët. Përkundrazi, danezët kishin qenë ata që kishin kontrolluar lojën për pjesën më të madhe. Holandezët kishin barazuar dikur për të siguruar vazhdimet dhe më pas penalltitë. Ajo që nuk duhet lënë pa u përmendur është futbolli agresiv dhe ndërhyrjet aspak të buta të të dyja palëve, sidomos në Brianin. Por, ishte Henrik Andersen ai i cili kishte thyer kapakun e gjurit për të pushuar nga kombëtarja për dy vite. Në penallti të dyja palët ishin vrastare. I vetmi që kishte huq penalltinë ishte lojtari më i mirë në botë i asaj periudhe, Marco Van Basten. Sikur në mbrojtjen e kësaj penalltie, ashtu edhe për pritjet tjera gjatë vazhdimeve, Peter Schmeichel ishte heroi i ndeshjes.
Tani në finale, Danimarka kishte marr guximin. Është lehtë kur luan pa presion, kur je ekipi inferior. Por, edhe më lehtë është kur ke guximin dhe aftësinë për tu matur me më të mëdhatë. Si të gjithë deri tani kundër danezëve, edhe gjermanët kishin nisur të sulmonin nga fillimi. Si zakonisht deri më tani, Peter Schmeichel ishte aty për të devijuar ose kapur çdo top që rrezikonte portën e tij. Gjuajtja e parë në portë e danezëve përfundon me golin e shënuar nga Jensen. Pastaj vazhdojnë sulmet e gjermanëve, dy tri momente pak më të gjata me top të danezëve, momente kur gjermanët po rimbledhnin energjinë e humbur nga sulmet e parreshtura.
Thjeshtë sulmet janë të pafrytshme, pa marrë parasysh sa sulmojnë, provojnë të hapin lojën, provojnë depërtime nga pjesa qendrore e mesfushës, harkimet. Asgjë nuk funksionon. Dikur edhe nervat nisin ti lëshojnë kampionët aktual të botës të udhëhequr nga Brehme, dhe gjenerata e artë që veçse po përsosej me Sammer, Riedle, Klinsmann, Reuter, Helmer, Effenberg, e Ilgner. Kampionët e botës nuk po mund ta mposhtnin kombëtare që kishte ardhur papritur në Evropian. Schmeichel, linja defensive, fati, gjithçka ishte në anën e danezëve.
Është emri i Schmeichelit, Laudruppit të vogël, Larsenit, Henriksenit, Olsenit, Jensenit, pjesës tjetër të ekipit dhe liderit të tyre, Richard Moller Nielsenit kundër të cilit ishin çuar mediat daneze dhe yjet e asokohe, përfshirë Laudruppët dhe Heinzen.
Shumë veta mund të hedhin trajektore me ngjarjet e 12 viteve pas kur Greqia kishte fituar kampionatin në Portugali. Një krahasim i tillë do të ishte gabim trashanik dhe ofendim ndaj Danimarkës. Këta të fundit kanë luajtur lojë më të hapur, kanë bërë lojë të vërtetë futbolli dhe me plot mëritë kanë mposhtur kampionin botëror dhe evropian të asaj kohe për të fituar titullin e më të mirit. Një tregim i tillë ndoshta kurrë s’do të mund të përsëritej. Ngjashëm si kurrë nuk do të mund të luhet një futboll i tillë.