TË PAHARRUESHMET
Befasitë evropiane - Portugalia 2012
Shkruan: Luan MORINA
2 June, 2016 @13:57
Deri në edicionit e vitit 1992, përfshirë këtë edicion, kampionati evropian ka pasur vetëm nga tetë kombëtare. Rënia e Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë krijoi mbi 15 shtete të reja në kontinentin e vjetër që shtyri deri në zgjerimin e kësaj gare. Deri atëherë, befasitë në kampionate evropiane pothuajse nuk kanë ekzistuar. Kualifikimi i Irlandës më 1988, Rumanisë katër vite më parë, Greqisë më 1980 mund të veçohen si befasitë më të mëdha, të cilat kanë përfunduar me një paraqitje mesatare. Më parë, titullin e Çekosllovakisë në edicionet të ngjashme me Final-Four të këtyre ditëve, mund ta konsiderojmë si ngjarje më të papritur të kampionateve evropiane. Befasitë nisin në Suedi. Dhe atë falë politikës.
PORTUGALIA - 2012
Shorti, ndarja nëpër vazo ishte përmirësuar me këtë kampionat. Por, që nga viti 2000, çdo vit kur kampionatet janë organizuar në dy vende, pos që nuk kanë kontribuar kushedi sa në zhvillimin e futbollit në ato vende me ndikim të menjëhershëm (Belgjika tash ka një kombëtare të shkëlqyeshme që mund ta ndërlidhimin me organizimin e Evropianit), kanë futur në borxh institucionet publike, kanë humbur edhe nga dy vende në vazon e parë. Ngjashëm ka ndodhur edhe në kampionatin e fundit ku edhe Polonia edhe Ukraina kishin dështuar qysh në rrethin e parë duke lejuar Çekinë dhe Greqinë të kalonin grupet. Holanda dhe Kroacia kishin mbetur në to, derisa hakmarrje morale ndaj Suedisë dhe Danimarkës vazhdoi edhe në këtë kampionat.
Kur shoh përbërjen dhe trajnerin e Anglisë, do të vendosja ata në rolin e befasuesit, por kishin vuajtur përsëri kundër ekipeve defanzive, Italisë. Italianët e Prandellit pasi kishin kaluar grupet, kishin vazhduar në stilin e tyre deri në finale duke mposhtur me kundërsulme dhe autobusë së pari Anglinë në penallti, e pastaj edhe Gjermaninë. Në finale i kishte shkelur autobusi spanjoll që kësaj radhe ishte zhvendosur në sulm. Ndoshta e vetmja kombëtare që mund ti mposht këto dyja është ajo e Portugalisë.
Dueli me Spanjën kampione
Kur shohim përbërjen e tyre në këtë kampionat, vërejmë se Portugalia ka vetëm një lojtar që thjesht bartë krejt kombëtaren. Moutinho, Veloso, e Meireles kanë qenë të mirë në pozitat e tyre në mesfushë. Buruno Alves, Pepe, Ricardo Costa nuk kanë qenë në mesin e katër mbrojtjeve më të mira në këtë kampionat. Nuk kanë qenë ekip që do të duhej të shkonte në penallti me Spanjën e Torresit, Pedros, Matas, Alonsos, Busquetsit, Fabregasit, Iniestas, Xavit pa kaluar tek mbrojtja. Por, ia kanë dalë. Të shohësh Spanjën të vuante të shënonte ndaj asaj mbrojtjeje, dhe të haste në vështirësi për të ndalur të ndalte vetëm Ronaldon përgjatë 120 minutave ishte risi.
Ndryshe në fushë
Kjo Portugali ka qenë më e dobët në përbërje se ajo e vitit 2000 e ajo e vitit 2004. Megjithatë kanë arritur atë që kanë bërë paraardhësit e tyre 12 vite më parë. Në një kampionat ku befasitë kanë munguar, mbetet Portugalia ajo që ka bërë atë që nuk e ka bërë askush në atë periudhë, ka detyruar Spanjën të luaj 120 minuta dhe me zor të kaloj në finale.