KUPA E KOSOVËS: LLAPI - DRENICA

Foto: kfllapi.com
Bërbatovci e Namani çojnë Llapin në finale!
19 April, 2017 @16:53
Me rezultat të thellë 4-1 është mbyllur ndeshja kthyese gjysmëfinale e Kupës së Kosovës mes Llapit e Drenicës, rezultat ky i cili bën që Llapi të kualifikohet për në finalen e Kupës, me ndeshjen e parë në Skenderaj që kishte përfunduar 0-0.
Serinë e golave për llapjanët e hapi Florim Bërbatovci, i cili qëlloi saktë nga afërsia pas pasimit fenomenal të Berat Hysenit. Gola të tjerë nuk pati dhe pjesa e parë u mbyll 1-0.
Me të filluar pjesa e dytë, epërsia e Llapit u dyfishua. Ishte kapiteni Hamdi Namani ai që shënoi me portën e zbrazët pas një akcioni të ndërtuar shkëlqyeshëm, për t’i dhënë kështu Llapit epërsinë 2-0. Në anën tjetër, Drenica e kërkoi golin pas golit të dytë të vendasve, mirëpo ngushtimi i epërsisë nuk erdhi. Përkundrazi, ishin llapjanët ata që shënuan edhe dy herë të tjera deri në fund të takimit përmes Bërbatovcit e Namanit, të cilët takimin e mbyllin me nga 2 gola secili. Kur ndeshja veçse ishte e mbyllur, Armend Abazi i mysafirëve e gjeti golin e nderit për skuadrën e tij, duke bërë kështu që epilogu final i takimit të jetë 4-1.
Në finale, Llapi kërkon dalje në garat evropiane në përballje ndaj Besës, e cila u kualifikua pasi mposhti me rezultat të thellë 6-0 skuadrën e Trepçës.