NGA PREZANTIMI

Besart Berisha: Prishtina është klub i madh
22 September, 2021 @15:00
Sulmuesi i ri i Prishtinës, që vjen me një përvojë madhore nga futbolli botëror, Besart Berisha, sot u prezantua zyrtarisht nga klubi, derisa defiloi për disa minuta në Fadil Vokrri dhe ishte prezent në konferencën për shtyp, bashkë me kryetarin e klubit, Remzi Ejupi.
Ndër të tjera, Berisha 36-vjeç, që është golashënuesi më i mirë në histori të ligës elite australiane, A-League, ka thënë se është i lumtur që ka ardhur në Prishtinë, ndërsa shpreson t’i sjellë përvojat e tij në klub dhe te lojtarët e rinj.
“Prishtina është klub i madh. E kam përcjellur gjithmonë, ndërsa jam i lumtur që i jam bashkuar këtij ekipi. Si futbollist të gjitha sfidat i kam kaluar me punë dhe njëjtë do të jetë edhe këtu. Dëshira ime është të luaj për Prishtinën dhe kampionati i Kosovës ka ndryshuar shumë. Unë shpresoj t’i ndihmoj klubit dhe lojtarëve të rinj,” ka thënë ai gjatë prezantimit në konferencën për shtyp, që shkoi direkt nga llogaria e klubit në Facebook.
I lindur në vitin 1985, Berisha ka karrierë të pasur ndërkombëtare ku ka nisur futbollin me Borussia Berlin, për të vazhduar në Hamburg, pastaj Burnley, Arminia, para se të kalojë në Australi ku shkëlqeu, te Brisbane Roar e Melbourne Victory. Së fundi ai ka qenë pjesë e Sanfreecce Hiroshima dhe Western United.
Gjithashtu, ai ka luajtur për kombëtaren e Shqipërië në 17 ndeshje duke shënuar një gol, ndërsa për Kosovën ka luajtur vetëm një herë, ndaj Islandës në kualifikimet për Botërorin “2018”