POL-POR
Buletini 19: Para çerekfinaleve
Buletini i parë i fazës çerekfinale në EURO2016
30 June, 2016 @11:31
ÇIFTET
Pas dy ditëve pushim, emocionet e EURO2016 kthehen me ndeshjet e fazës çerekfinale, ku ndeshja e parë do të luhet sonte ndërmjet Polonisë dhe Portugalisë.
POLONIA
Polonia deri këtu erdhi duke kaluar fazën grupore nga vendi i dytë pas Gjermanisë, me dy fitore e një barazim dhe duke e mposhtur pas penalltive në 1/8 e finales Zvicrën.
PORTUGALIA
Ndërsa Portugalia, në 1/8 e finales nuk lejoi që ndeshja të shkojë deri tek penalltitë, mirëpo asaj iu deshën vazhdimet për ta mposhtur Kroacinë. Në fazën grupore, portugezët arritën kualifikimin me tri barazime dhe pa asnjë fitore.
VETËM EDHE NJË
Cristiano Ronaldo është vetëm një gol larg për t’iu bashkuar Michael Platinit në listën e golashënuesve më të mirë në histori të Europianëve. Platini ka 9 gola, ndërsa Ronaldo 8.
HESHTJA E LEWIT
Sulmuesi kryesor i Polonisë, Robert Lewandowski, ende është në heshtje në EURO2016. Ylli i Bayern Munchenit akoma nuk ka shënuar asnjë gol, ndërsa rolin e golashënuesit te polakët e ka marrë mesfushori Jakub Blaszczykowski me dy gola të shënuara deri më tani.
MARSEJA
Në stadiumin Velodrome të Marsejës, ku do të luhet ndeshja e sontme ndërmjet Polonisë dhe Portugalisë, polakët kanë përjetime të mira. Më parë, Polonia ka zhvilluar dy takime në këtë stadium dhe në të dy takimet ka shënuar fitore pa pësuar gol.
LUFTA E TITANËVE
Gazeta françeze, ‘La Provence’, në ballinën e sotshme të saj i ka përballur Cristiano Ronaldon me Robert Lewandowskin, dy yjet që do ta kërkojnë fitoren dhe pse jo edhe golin ndaj njëri tjetrit në ndeshjen e sotme.
HEAD TO HEAD
Në ndeshjet e ndërmjetme, portugezët janë pak më të mirë. Ata kanë fituar 4 ndeshje, krahas 3 humbjeve dhe 3 barazimeve deri më tani. Gjithashtu edhe me gola portugezët kanë bilanc më të mirë nga ndeshjet e ndërmjetme, duke shënuar 13 herë dhe pësuar 9 herë.
GJYQTARI
Gjyqtari kryesor i ndeshjes do të jetë Felix Brych nga Gjermania, i cili kishte ndarë drejtësi edhe në ndeshjet Angli-Uells, Suedi-Belgjikë dhe Uells-Iralndë Veriore.
MUNGESAT
Polonia nuk ka asnjë mungesë dhe është e kompletuar për këtë ndeshjes, ndërsa te Portugalia Andre Gomes dhe Raphael Guerreiro janë të dyshimtë për shkak të lëndimeve të lehta që i kanë pësuar.
PËRVJETORI GJERMAN
Sot bëhen plot 20 vite prej se Gjermania ishte shpallur kampione e EURO ‘96. Atë botë, gjermanët e kishin ngritur kupën e më të mirit të Europës në stadiumin Wembley, pasi në finale e patën mposhtur Republikën e Çekisë.