SHËTI NËPËR BREGUN AZUR
Buletini 8: Ditëlindja e De Biasit dhe ‘bombat’ shqipe
17 June, 2016 @9:20
STATUSI I DITËS
E përditshmja gjermane, Bild Sport, në Facebook e ka shkruar statusin e ditës së djeshme.
“Dhe ja kontakti i parë i holandezëve me top në EURO2016…” ka qenë komenti i Bildit, derisa në fotografi shihet referi holandez Bjorn Kuipers duke e larguar topin.
Me këtë, gjermanët treguan se si bëhet shaka me komshiun e parë, që nuk arrin kualifikimin në europian.
DITËLINDJA E DE BIASIT
U festua me tortë dhe me qirinj në te ditëlindja e Giovanni De Biasit dje në kampin kuqezi në Francë, ndërsa kreu i FSHF-së ka qenë në çdo foto të publikuar - që don të thotë se ‘unë jam unë’.
STATISTIKA E DITËS
Nga 34 gola të shënuara deri tash në EURO2016, 9 prej tyre i kanë shënuar zëvendësuesit.
DOBËT
Tifozja polake është mundur të kapet nga fotografët, por pas ‘bombave’ shqiptare në Velodrome, tashmë gjithçka duket - ftohtë.
NJERIU I HISTORISË
Jo që është historian i mirë apo diçka e tillë, por Gareth McAuley shënoi dje golin e parë dhe historik për veriirlandezët në EURO2016. E merituar për një 36 vjeçar dhe kontributin e tij në fanellën e gjelbër.
NË PAZAR
Disa nga Tifozët Kuq e Zi dje kanë qenë duke shëtitur nëpër rrugicat e Sen Tropesë [Saint Tropez]-së, ndërsa statusi ka qenë: “po lypim me ble pllac”.
PA CANËN S’BËN
Kapiteni i kombëtares, Lorik Cana, është dashur të kryejë edhe rolin e përkthyesit dje për kreun e FSHF-së, kur komunarët e Pieros Guirrecut i organizuan pritje kombëtares shqiptare.
SHUARJA E MARTIALIT
Bllokimi që ia bëri në ndeshje Anthony Martialit, ka bërë që francezët të vazhdojnë me kritika ndaj lojtarit të talentuar të tyre. Bravo Elseid Hysajt për ‘ilaçin’ anti-Martial. Xhokerti vetullngrysur do të thotë titulli i L’Equipe për Martialin, pas ndeshjes me Shqipërinë.
MOS FITONI
Përveç Rumanisë që duhet ma mposhtim mirë e mirë të dielën, publiku shqiptar tashmë duhet të lutet që së paku dy pozita tjera të treta në grupe të kenë më pak se 3 pikë, ose golaverazh shumë negativ.
PROVOKIMI
Panorama Sport shqiptare thotë se rumunët po na provokojnë për ndeshjen e fundit të Grupit A. Edhe nëse po, fjala e fundit thuhet në fushë.
QYSH JENI?
Eh… mos të harrojmë ‘bombat kuqezi’ janë mirë dhe ju kanë përshëndetur me këtë foto pas ndeshjes Francë - Shqipëri, prej Marsejës [Marseille].