DEKLARATA PAS NDESHJES: ALBERT BUNJAKI

Bunjaki: Krenar me këta djem
9 October, 2017 @23:06
Përzgjedhësi në largim i përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaki, ka drejtuar për herë të fundit Kosovën në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror “Rusia 2018”.
Kosova është mposhtur për herë të nëntë në Grupin I kualifikues, sonte nga Islanda, që mori biletën direkte për Rusi, 2-0, ndërsa pas ndeshjes Bunjaki është shprehur të jetë krenar më djelmoshat e reprezentacionit.
“Jam shumë krenar me këta djem. Kanë bërë gjithçka përkundër kushteve që kemi pasur, ndërsa asnjëherë s’jemi ankuar për gjërat dytësore,” ka thënë Bunjaki pas ndeshjes.
“Sonte ka qenë një performancë që më ka dhënë emocione nga Kosova. Duke pasur parasysh se të gjithë janë djem të rinj, kjo e bën edhe më të madhe këtë performancë,” ka shtuar ai.
Ndërsa sa i përket mangësive dhe të mirave nga ky cikël kualifikues Bunjaki është përgjigjur shpejt.
“Përvoja. Kjo ka qenë ajo që na ka munguar. Por, ne s’jemi marrë me fjalë e ndeshje të kaluara. Gjithnjë kemi punuar për ndeshjen e radhës. Nesër, cilido përzgjedhës që vjen te Kosova do ta ketë shumë më të lehtë drejtimin e saj, por edhe rrugën më të lehtë,” ka shtuar ndër të tjera Bunjaki.
Kosova ka marrë pjesë për herë të parë në një cikël zyrtar kualifikues për Kampionat Botëror, prej se u pranua në UEFA e FIFA.
Grupi I ku ka marrë pjesë Kosova ka pasur në te 4 pjesëmarrës të Kampionatit të fundit Europian, Franca 2016, ndërsa Islanda ka siguruar kualifikimin direkt, e Kroacia do të tentojë Botërorin përmes barazhit.