NGA KONFERENCA

11 orë udhëtim për shpresë në befasi
9 October, 2017 @12:12
Përzgjedhësi i Kosovës, Albert Bunjaki, do të dalë për herë të fundit si trajner i Kosovës në ndeshje zyrtare, sonte ndaj Islandës.
Ndeshja e fundit kualifikuese për Kampionatin Botëror “Rusia 2018” Kosovën e ka vulosur në vend të fundit të Grupit I, ndërsa Islandën fitorja e ndan nga Botërori i parë në histori të vendit.
“Presim lojë të fortë fizike. Neve nuk na intereson as Ukraina as Kroacia e as Islanda. E dimë se kjo ndeshje përcakton fatet e grupit dhe se Islanda është nën presionin e pikëve, por ne do bëjmë më të mirën tonë në fushë që ta bëjmë krenar popullin tonë,” ka thënë fillimisht Bunjaki në konferencë për shtyp.
“Nesër ballafaqohen dy vende të vogla, por me zemër të madhe. Do të ishte absurde nëse them se kemi gjasa të mëdha për fitore, pasi ka vetëm një vit që jemi krijuar si kombëtare dhe ende çalojmë në disa aspekte. Islanda është favorite, por ne kemi ardhur për të shkaktuar befasi. Jemi shumë të lodhur nga udhëtimi 13 orësh nga Shkodra deri në Rejkjavik, por do të mundohemi të gjejmë forcën e duhur për ta përballur Islandën,” ka shtuar ndër të tjera ai.
Kosova ishte mposhtur 1-2 nga Islanda në duelin e zhvilluar muaj më parë në Shkodër. Ndeshja luhet sonte prej orës 20:45.