NGA KONFERENCA E CHRISTIAN PANUCCIT

Panucci: Së pari loja, pastaj rezultati
8 October, 2017 @17:15
Përzgjedhësi i kombëtares shqiptare, Christian Panucci, ka mbajtur sot konferencën për shtyp para ndeshjes së nesërme ndaj Italisë.
Ai nuk ka folur asgjë vetë dhe ka kërkuar menjëherë pyetjet e gazetarëve për ndeshje ndaj Italisë, ku ndër të tjera u kuptua se për te më me rëndësi është loja sesa rezultati.
“Së pari duam të luajmë futboll. Të kemi lojën tonë të mirë, pastaj të marrim edhe rezultat,” ka qenë përgjigja e Panuccit, pas pyetjes se cila është më me rëndësi për te, loja e mirë e Shqipërisë nesër, apo një rezultat i mirë i Shqipërisë.
Ndër të tjera, ai ka bërë të ditur edhe pse Italia ka siguruar vendin e dytë në klasifikim, nuk do të jetë lojë e lehtë siç parashihet.
TABELA AKTUALE DREJT RUSIA 2018
“Shikoni, ata edhe pse kanë siguruar vendin e dytë, nuk do të thotë se nuk do të bëjnë lojën e tyre më të mirë. Kjo vlen posaçërisht për futbollistët, që nëse nuk e japin maksimumin, mund të mos ftohen në duelet e radhës,” mendon Panucci.
Një tjetër pyetje e ardhur ndaj Panuccit ka qenë zëvendësimet në pjesë të ndeshjeve. Ai në dy ndeshjet e fundit ka bërë nga dy zëvendësime në fillim të pjesës së dytë.
“Jo, s’ka qenë e paramenduar. Ajo u bë sipas lojës së zhvilluar. Sipas momentit. Duke u zhvilluar loja atë që mendoj se është e duhur për tu zëvendësuar, përforcuar, atë e bëj. Një gjë e tillë nuk ka qenë e planifikuar. Për shembull në ndeshjen e radhës mund të mos e ndërroj askë, ose të bëj vetëm një zëvendësim,” ka thënë ndër të tjera Panucci sot.
Shqipëria pret Italinë në Loro Boriçi të Shkodrës nesër mbrëma, në ndeshjen që nis prej orës 20e45. Derisa italianët kanë siguruar vendin e dytë në grup dhe luftën me barazh drejt Kampionatit Botëror Rusia 2018, Shqipërisë i duhet fitorja për të mbetur në pozitë të tretë, pas dy superfuqive botërore, Spanjës e Italisë.