TRAJERI I DUKAGJINIT
Dallku: Nuk jemi turistë në Superligë
22 August, 2021 @21:10
Dukagjini ka arritur të ndalë Ballkanin sot në Suharekë, duke barazuar 2-2 edhe pse dy herë ishin në disavantazh.
Trajneri i klinasve, Armend Dallku, ka thënë se ekipi i tij nuk është turist në Superligë dhe do t’i shkaktojnë telashe të gjitha ekipeve nëse luajnë si sot.
“Nuk ishte maksimumi ynë pasi mbetëm me një lojtar më pak në fushë. Jam i kënaqur me angazhim të lojtarëve, ndërsa për ne kjo pikë është e rëndësishme pasi që është ndeshja e parë e stinorit. Shpresoj të vazhdojmë kështu dhe ta kemi intensitetin e njëjtë edhe në përballjet tjera. Në secilën ndeshje do të luajmë për fitore sepse nuk jemi turistë në Superligë,” ka thënë Dallku pas ndeshjes.
Dukagjini i Klinës është rikthyer pas shumë vitesh në Superligë. Ata arritën që të kalojnë dy pengesa për të siguruar elitën, ndërsa që nuk ishin befasi vjet tregon edhe fakti që arritën edhe finalen e Kupës së Kosovës, të cilën e humbën krejt në fund.