TRAJNERI I MALISHEVËS
Thaqi: E dhimbshme të mos shfrytëzohen rastet
22 August, 2021 @21:04
Trajneri i Malishevës, Arsim Thaqi, ka qenë i zhgënjyer pas ndeshjes, ku ekipi i tij në fund pësoi gol për të mbetur pa tri pikë nga ndeshja e parë e stinorit dhe u detyruan të kënaqen me një në fund.
Prishtina barazoi në fund të ndeshjes ndaj Malishevës, që kishte kaluar në epërsi me një gol të bukur të Hasan Hysenit, që paraboloi Eglant Haxhon.
“Kemi merituar më shumë se një pikë. Kishim shumë raste, por gjithsesi jam i kënaqur me angazhimin e ekipit. Lojtarët i përgëzoj pasi që nëse luajmë kështu, do t’i qesim telashe të gjitha skuadrave. Ekipi tregoi karakter por në fund Prishtina shfrytëzoi një mundësi për të barazuar. E dhimbshme që nuk shfrytëzuam rastet, do t’i merrnim pikët e plota,” ka thënë Thaqi pas ndeshjes.
Malisheva debutuese në Superligë, ka marrë pikë të madhe ndaj kampionit aktual sot, ndërsa me lojë tregoi se meritoi tri pikët. Gjithsesi ekipi i ri i elitës do të tentojë të fitojë në përballjen e radhës, duke i shkuar si mysafir Ulpianës në Lipjan.