PAS EPOKËS CANA
De Biasi në kërkim të liderit të ri
30 August, 2016 @10:09
Përzgjedhësi i kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi, në konferencën e djeshme për shtyp, kur shpalosi emrat e të ftuarve për ndeshje ndaj Marokos dhe IRJ-Maqedonisë, e ka hapur atë duke e përmendur kapitenin legjendar të kombëtares, Lorik Cana.
“Kjo është hera e parë që unë jam këtu dhe në listën time nuk figuron Lorik Cana. Ai përveç personalitetit të tij, ka dhënë gjithçka tjetër për kombëtaren,” ka thënë ndër të tjera De Biasi duke e falenderuar.
Cana është rekordmeni i Shqipërisë për paraqitje. Ai ka veshur fanellën kuqezi plot 93 herë, ndërsa ka kryer ëndrrën e vetë për të çuar kuqezinjtë drejt një gare të madhe, kur Shqipëria siguroi “Franca 2016”.
Cana është pensionuar nga kombëtarja me 33 vjet, ndërsa është ndarë edhe me ekipin e tij në Ligue 1, Nantes.
Në anën tjetër, Gianni De Biasi, tash e tutje do të duhet të kërkojë njeriun bashkues brenda 23-shes kuqezi, që do të bart përgjegjësinë brenda dhe jashtë fushës.
Në një aspekt, Cana duket të jetë i pazëvendësueshëm, por sidoqoftë, dikush do të duhet të kryejë detyrën e liderit.
Italiani ka provuar si kapiten në ndërkohë Ansi Agollin dhe Elseid Hysajn. I pari është më në moshë nga lojtarët tjerë, ndërsa i dyti derdh djersë për ekip më serioz nga të tjerët.