DRENICA 2-0 DUKAGJINI
Denisson rikthen Drenicën në krye
24 October, 2021 @15:12
Mesfushori brazilian i Drenicës, Denisson ka qenë i përkyer sot, derisa i ka sjellë ekipit të tij fitoren për ta rikthyer në krye për një moment ekipin e Tahir Lushtakut.
Denisson ka shënuar nga një gol në secilën pjesë për t’i dhënë fitoren Drenicës ndaj Dukagjinit 2-0 [Denisson 36p., 70].
Vendasit kanë dominuar në pjesën më të madhe të takimit, veçanërisht në pjesë të parë, ndërsa pos golit nga penalltia ata shënuan edhe një herë me Baton Zabërgjën, por që goli i këtij të fundit, u anulua nga VAR për pozitë jashtë loje.
Prej penalltisë e tutje (36) Dukagjini luajti me një lojtar më pak në fushë, pasi që Ilir Syla u ndëshkua me të kuq për shkak të faulit që bëri 11-metërsh.
Në pjesë të dytë pos dy tentimeve pak më serioze Dukagjini nuk ka arritur më tepër, derisa Denisson përsëri ka dalë në skenë me një goditje nga distanca për përfundimtaren 2-0.
Kjo është fitorja e tretë radhazi për Drenicën në shtëpi, ndërsa Dukagjini është në zonë të rrezikshme të Superligë, ku tashmë tri ekipe kanë nga dhjetë pikë!