DE BIASI
Detet dhe malet, para Shqipërisë
23 February, 2014 @18:48
Trajneri italian i kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi, ka qenë i pranishëm sot në Nice të Francës, ku u hodh shorti kualifikues për EURO 2016.
Shqipëria doli në grupin me 5 ekipe, si e fundit dhe më e dobëta e klasifikiuar. Grupi i vështirë me arra të forta si Portugalia e Danimarka si dhe Serbinë e Armeninë pritet të jetë një detyrë tejet e vështirë për kuqezinjtë.
S’kishim fat
Trajneri 56 vjeç e ka vlerësuar tejet të vështirë grupin duke e cilësuar shortin për EURO 2016 si të pafat për kombëtaren.
“Nuk ishim me fat. Mendoj që është short i vështirë pasi që kemi kundërshtarë të fortë. Një short që askush nuk e dëshironte,” ka thënë fillimisht De Biasi transmeton versioni online i gazetës sportive Panorama Sport.
Grupi më i vështirë i tërë shortit
Ai më tej ka vlerësuar mundësitë se si mund të arrihet kualifikimi i Shqipërisë, pasi që për herë të parë edhe vendet e treta në grup kanë mundësinë që të shkojnë në barazh.
“Do të marrim parasysh realitetin dhe do të japim maksimumin në një grup të vështirë, duke kërkuar kualifikimin. Mendoj që grupi ynë është më i vështirë nga të gjitha të tjerat në këto kualifikime,” ka thënë tutje italiani.
Krejt me yje
Ai bile ka theksuar se të gjitha skuadrat tjera kundërshtare në grup kanë së paku nga një superyll, por se Shqipëria në këto raste duhet të koncentrohet në çdo ndeshje sipas radhës.
“Të gjitha ekipet kanë futbollistë të mirë. Edhe Armenia ka superyll sikurse Henrikh Mkhitaryan i Borussia Dortmundit. Ky është një grup i vështirë, por do t’i marrim ndeshjet një nga një. Ne shqiptarët duhet t’i kalojmë detet e malet. Duhet të japim maksimumin, të bëhemi të fortë dhe të tregohemi optimistë,” shpreson në fund De Biasi që kryen detyrën e trajnerit të kombëtares shqiptare që nga nëntori i vitit 2011 dhe ka vazhduar kontratën deri në fund të eliminatoreve për Franca 2016.
Shqipëria ndeshjen e parë kualifikuese do ta zhvillojë kundër Portugalisë në gadishullin e Pirinejëve, derisa vitin do ta përfundojë me ndeshje si vendas ndaj Danimarkës në tetor dhe udhëtim në Serbi tre ditë pas ndeshjes me danezët. Ndeshjet tjera do t’i zhvillojë në vitin e ardhshëm.