ROSSONERI
Taarabt përësi shënon, Milan fiton
23 February, 2014 @17:27
Milan kthehet me fitore nga mysafirllëku i vështirë në Luigi Ferraris. Nxënësit e Clarence Seedorf arrijnë të mposhtin Sampdorian e Sinisa Mihajlovicit 2-0 jashtë dhe atë me golat e të ardhurve në afat kalimtar të janarit, Adel Taarabt dhe Adil Rami.
Taarabt ka shënuar golin e dytë të tij në Serie A, në fillim të takimit, derisa Adil Rami shënon për 2-0, në pjesë të dytë, gol ky që u kontestua nga vendasit.
Giampaolo Pazzini ka pasur rast të mirë në fillim të takimit, por golin e sigurt nga porta e largoi mbrojtësi shqiptar i Sampdorias, Shkodran Mustafi.
Dyshja e trajnerëve të dy ekipeve, Seedorf e Mihajlovic njihen që nga koha kur kanë djersitur bashkë fanellën e ekipit të Xhenovës, Sampdoria, në stinorin 1995/96, derisa fitues i duelit të parë të tyre direkt si trajner doli holandezi.
Në fund të ndeshjes u goditën dy shtylla karshi-karshi, kur Eder i Sampdorias dhe Keisuke Honda i Milanit nuk ishin sa duhet preciz për të shënuar golat e radhës në ndeshje dhe përfundimtarja mbeti 2-0 në të mirë të rossonerëve, të cilët kthehen me fitore në ligë pas disfatës si vendas në Ligë të Kampionëve.
Rezultatet dhe tabela aktuale.