DEJAN VUKICEVIC
Do të ketë pasoja për të padisiplinuarit, përveç 3 pikëve asgjë për tu vlerësuar
22 October, 2019 @17:01
Trajneri malazez i Feronikelit, Dejan Vukicevic, në deklaratën e tij pas ndeshjes ndaj Vushtrrisë sot ka bërë të ditur se përveç tre pikëve, që kanë qenë imperativ për skuadrën, asgjë tjetër s’duhet përmendur nga kjo ndeshje.
“Përveç tre pikëve me asgjë tjetër nuk jam i kënaqur. Terreni ishte jo i mirë, topi i çuditshëm dhe me të nuk mund të luhet futboll profesionist. Rezultatet jo të mira kanë ngarkuar ekipin, por assesi nuk i arsyeton sjelljet e futbollistëve në lojë,” ka thënë Vukicevic për mikrofonin e Supersportit pas ndeshjes.
Ndërsa ka bërë të ditur se lojtarët do t’i bartin pasojat për sjelljet e tyre, ku u pa incidenti mes Kastriot Rexhës dhe Jean da Silvas, bashkëlojtarëve te ekipi kampion.
“Nuk jam trajner që i mbaj problemet fshehur. Të gjithë që janë sjellë në mënyrë josportive do t’i bartin pasojat,” ka theksuar ai.