VUSHTRRIA 0-1 FERONIKELI
Ndeshjen me vendime kontraverse, e vendos Bojku në fund
22 October, 2019 @15:57
Feronikeli i është kthyer fitoreve në Superligë, duke shënuar triumf në Ferki Aliu të Vushtrrisë në minutën e fundit të ndeshjes, kur Kastriot Rexha asiston për Besmir Bojkun që tund rrjetën e vendasve për fitore, 0-1.
Bojku ka shënuar në kohën shtesë të takimit, 90+3’, duke përfituar nga gabimi i mbrojtjes së Vushtrrisë, ndërsa referi kryesor Gramos Shala, bashkë me ndihmësit e tij (Fatmir Abrashi, Alban Ejupi e Kreshnik Vula) do të përfolen shumë për shkak të gabimeve trashanike në këtë përballje.
Ka qenë minuta e 26-të e takimit kur Vushtrria kërkonte penallti. Shuti i Ledion Muçajt ndalet nga Astrit Thaçi i Feronikelit, derisa referi jep sinjal për vazhdim.
Vetëm dy minuta më vonë, Astrit Fazliu i Feronikelit gjuan drejt portës së Vushtrrisë dhe topi nga shtylla kalon vijën e golit, por Shala sinjalizon për vazhdim.
Më pas nikli rrezikon me Kastriot Rexhën, jashtë portës. Ndërsa në fillim të pjesës së dytë Qëndrim Gashi tenton nga gjuajtja e lirë për vushtrriasit, por topi godet rrjetën e jashtme.
Nga minuta e 65-të deri në të 85-tën ndeshja kaloi me zëvendësimet e trajnerëve. Vushtrrinë e drejtonte Fitim Llapashtica, që deri para ndeshjes ishte ndihmës i italianit Antonio Toma, që u largua nga ekipi, derisa Feronikeli nën teknikun malazez Dejan Vukicevic iu gëzua fitores krejt në fund, për të ndërprerë serinë prej tre ndeshjeve pa fitore.